Kryeministri grek Kostas Karamanlis uron Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në postin e Kryeministrit
Kryeministri grek Kosta Karamanlis i dërgon kryeministrit Berisha një letër urimi, përmes së cilës përshëndet rizgjedhjen e tij në postin e kryeministrit, si dhe i uron suksese qeverisë së re.
“I dashur Sali,
Në emër të qeverisë greke, do të doja të shprehja urimet e mia të sinqerta për marrjen e detyrave tuaja si Kryeministër i Shqipërisë.
Do të doja gjithashtu t’ju uroja juve dhe qeverisë tuaj të re çdo sukses në detyrat e rëndësishme që ju presin dhe veçanërisht në përpjekjet tuaja për integrimin evropian të Shqipërisë.
Greqia do të mbetet një fqinj i mirë, një mik i besuar dhe partner, një aleat i afërt në NATO dhe një përkrahës i qëndrueshëm i perspektivës evropiane të Shqipërisë. Jam i bindur se ka vullnet të fortë politik nga te dyja palët, në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të rëndësishme strategjike, dypalëshe si dhe në nivel rajonal, për të mirën e vendeve tona, popujve tanë dhe stabilitetit në rajon.
Me këtë rast do të doja të nënvizoja vlerën e shtuar të minoritetit grek në Shqipëri dhe rolin e tij të rëndësishëm në kontekstin e një vendi modern Evropian dhe demokratik.
Duke shpresuar për një bashkëpunim të vazhdueshëm e të frytshëm, dëshiroj t’ju uroj juve personalisht shëndet e gjithë të mirat.
Juaji
Kostas Karamanlis
17/09/2009