E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri i ardhshëm

Dhimitër Muslia/ Kryetar i PKD-së

-Edi Rama duhet patjetër të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Këtë nuk e them nisur nga simpatia personale apo si kryetar i një partie në aleancë me të, por nisur nga arsye krejt më parimore, më të shëndosha dhe thelbësore. Mjafton të themi se Edi Rama ka treguar se është një menaxher i suksesshëm, se kjo Tiranë e sotme me pamje Europiane, ka vulën e punës dhe drejtimit të tij gjatë viteve kur shërbeu si kryetar bashkie. Suksesi i Ramës bëhet më domethënës po të shohim vakuumin e krijuar, ritmet në vend numëro të pasardhësit të tij, i cili jo vetëm nuk solli tramin e premtuar, por i ka “shqepur” rrugët në atë farë feje saqë të duket sikur po udhëton në Kandaharin e goditur nga lufta. Edi Rama ndoshta ende nuk e ka krijuar staturën, përvojën e një politikani perfekt, por gjatë këtyre pak viteve hopi i tij ka qenë cilësor, si në reformimin që po i bën PS-së, ashtu edhe në programin, vizionin që manifeston për një Shqipëri Europiane tërësisht e ndryshme nga kjo e sotmja. Thirrja e Edi Ramës për një bashkim në front të gjerë të të gjithë individëve, grupeve, subjekteve politike për një “Rilindje”, do të thotë se gjërat kanë shkuar në limitet e tyre dhe nuk ka më kohë për të humbur. Të thuash se të gjithë politikanët janë njësoj dhe të mos bësh ndryshimin, i shërben konsolidimit të së keqes, shtimit të dozës së vrerit, i cili po helmon jetët tona ditë pas dite, pamundësisë për kurimin me antibiotikë dhe aktivizimit të trupave mbrojtës.  Në këtë kontekst, duke qenë se ndryshimi bëhet me votë, lipset që ajo pjesë që ka kohë që e ka braktisur votimin (thuhet 40-50%) për arsye të mosbesimit në vite, të rikthehet në kryerjen e këtij misioni kombëtar, të një rëndësie jetike. N.q.s në vitet 90 – të, besimi, shpresa që kishim tek demokracia dhe ekonomia e tregut të lirë e sfidonin varfërinë që trashëguam, sot në 2013-ën, mungesa e lirisë, e kohezionit, mungesa e funksionimit të shtetit dhe institucioneve, skepticizmi i skajshëm, janë varrmihësit, gropa e hapur nën këmbët tona, ku shuhet çdo ëndërr, çdo perspektivë. Sali Berisha në çdo kuptim e ka mbyllur ciklin e tij dhe duhet të ishte tërhequr me kohë nga skena, t’u linte rrugë të lirë të rinjve. Këmbëngulja, stoicizmi i tij tregon gjendje patologjie, deliri, i cili brenda hapësirës politike zgjidhet me “injektim” të ilaçit votë. Ose përndryshe na duhet ta durojmë edhe katër vite të tjera, pa të drejtën për tu ankuar. Por edhe sikur PD-ja dhe mazhoranca e sotme, të mos kishin këto anomali dhe dështime gjatë dy mandateve qeverisjeje, qoftë edhe për efekt kohor, për pamundësi të efiçencës optimale, konsumit të energjive, duhet ta dorëzonte pushtetin. Kjo është një normë, një hallkë e funksionimit normal të demokracisë. Përtej gjithçkaje tjetër dëmi moral i shkaktuar nga kjo mazhorancë, aplikimi i modelit të mosndëshkimit, për disa ngjarje të rënda është shkaku më madhor i ndëshkimit me votë më 23 Qershor dhe nxjerrjen në opozitë. Mjafton të kujtojmë Gërdecin, 21 janarin, pa hyrë në detaje dhe hollësi të tjera. Dy nga personat përgjegjës për vrasjet e njerëzve të pafajshëm,  jo vetëm nuk janë dënuar nga drejtësia, por vazhdojnë të jenë ministra edhe sot e kësaj dite. Në këmbim të mbështetjes pa kushte, të rolit prej kamikazi në dobi të liderit, ata kanë përfituar “de fakto” pafajësinë edhe kur janë akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe vjedhjes së pasurisë publike. Madje gjykoi se mbyllja apriori e dosjes për rrugën Durrës – Kukës ka qenë vendimtare për vendosjen e Lul Bashës si Ministër i Rendit dhe në ato që e pasuan në rolin e komandantit të togës së pushkatimit. Berisha (sipas fjalëve që qarkullojnë) i ka për zemër që vartësve t’ua bëj ndonjë dosje gati, me shkeljet dhe korrupsionin, që t’ua përdorë sa herë që tentojnë të dalin nga rreshti dhe të mos i binden. Pra Luli si Ministër i Rendit, ka qenë shah- mat, i përcaktuar për të bërë gjithçka që t’i kërkohej, përndryshe...(!!) Pushteti i sotëm funksionon si dinasti, ku sallonet e princërve dhe princeshave me gjithë shërbëtorët e tyre, janë pjesë e oborrit të monarkut, të familjes dhe klanit Berisha, të cilët kontrollojnë çdo gjë me dorë të hekurt. Ata do tentojnë, sipas gjasave që të përdorin gjithçka për të mos e dorëzuar fronin, që nga presionet, kërcënimet me vendin e punës, joshjet për pasurim, qerasjet me raki dhe qofte në kioskat e tymit, dhorot me thasë mielli ditën e votimit, shlyerjen e detyrimeve në listat e borxhlinjve nëpër supermarkete, paratë kesh për manipulatorët e opinionit dhe të qendrave të votimit. Por këto para, këto thasë mielli që do shuajnë urinë e pak ditëve apo muajve do peshojnë mjaft rëndë mbi shpinën e shqiptarëve të thjeshtë, do shkaktojnë mjaft strese, pakënaqësi, divorce, viktima nga depresioni, do shtojnë agoninë tonë. Gjithë sa renditëm i bëjnë krejt të ndryshëm dhe të dallueshëm Berishën dhe Ramën; i pari përfaqëson të shkuarën, i dyti përfaqëson të ardhmen. Votimi për koalicionin e majtë dhe për Ramën kryeministër më 23 qershor, është e vetmja mundësi dhe alternativë që kemi për të dalë nga kolapsi.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›