Kryeministri italian nuk kërkon të dorëzohet
Në rast të ndonjë dënimi të mundshëm për proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar ende kundër tij, Silvio Berluskoni nuk do ta japë dorëheqjen nga posti i Kryeministrit. Në një intervistë me gazetarin Bruno Vespa në Itali, Berluskoni e ka bërë këtë deklaratë teksa fliste për librin "Donne di cuori" që pritet të dalë më 6 nëntor. "Kam ende besim në ekzistencën e gjykatëseve të ndershëm që marrin vendime duke u bazuar në fakte. Nëse do të më dënojnë në këto procese gjyqësore që janë duke u zhvilluar do të gjendemi përballë shkatërrimit të së vërtetës. Kështu, unë do të ndieja për detyrë të rezistoja dhe të mbroja demokracinë dhe shtetin e së drejtës". Nga ana tjetër pyetjes se si e shpjegon Kryeministri fushatën ndërkombëtare që ka shpërthyer kundrejt tij që nga muaji maj, ai i përgjigjet: "Ka lindur nga "Repubblica" dhe "Espresso". Më pas nga ky grup u përhap në të gjitha gazetat e tjera që ishin "mike" me to. Duke u përpjekur të hedhin baltë mbi mua, përfunduan duke hedhur baltë mbi vendin dhe demokracinë tonë". Ndërkaq, "Times" një nga gazetat britanike jo të majta është treguar shumë e ashpër me të. Ajo ka botuar pesë artikuj brenda një dite më 7 tetor, kur u hodh poshtë ligji që i hiqte Kryeministrit italian imunitetin. Bersluksoni prej kohësh ka treguar se nuk dëshiron të dorëzohet: "Proceset gjyqësore kundër meje janë false, qesharake, absurde. Do mundohem t‘ua tregoj italianëve këtë. Do ta mbroj fort veten time në gjykatë dhe do t‘i bëj ata që më akuzojnë të duken qesharakë". Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, do të dalë para drejtësisë më 27 nëntor të këtij viti. Ai do të përballet me akuzat për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e imunitetit të tij.