E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia padit në prokurori Policinë e Shtetit

Bashkia e Tiranës ka paditur dje në prokurori Policinë e Shtetit.

Padia, sipas përfaqësuesve të Bashkisë, është ngritur për shkak se policia ka arrestuar inspektorin, Genti Lala, pas përplasjes mes dy policive. Në veprimet e tyre, ata kanë shoqëruar për shkak të cilësive të veçanta, inspektorin e lartë, përgjegjës të zonës, për disa orë në Komisariatin e Tiranës. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka bërë një kallëzim penal për drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të Qarkut Tiranë, gjithashtu, për përfaqësuesin e Inspektoratit Urbanistik Kombëtar, dega Tiranë.

Dy ditë më parë, qeveria dhe bashkia patën një përplasje mes tyre lidhur me vendimin e Ministrisë së Transporteve për një truall toke në qendër të Tiranës. Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashki, Afrim Qendro, dorëzoi padinë dje në prokurori.

Pas dorëzimit të kallëzimit penal, kryeinspektori Qendro deklaroi: "Policia e Shtetit ka krijuar një incident të rëndë, duke penguar forcërisht, në kundërshtim me ligjin, Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, në detyrën e tij brenda territorit administrativ". Pak minuta pas kësaj deklarate ka reaguar ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Sipas Olldashit, tha se është ndërhyrë në tokë shtetërore dhe se për këtë truall nuk ka leje ndërtimi. Ministri sqaroi se Policia e Shtetit është vënë në mbrojtje të tokës shtetërore. Arsyeja e konfliktit mes palëve ishte pas vendimit të Ministrisë së Transporteve për të mbushur dhe shndërruar në lulishte një gropë në qendër të Tiranës mes Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit. Ky truall, sipas Transporteve është pronë publike dhe bashkia ka planifikuar që aty të ndërtojë një pallat. Nga ana tjetër, bashkia sqaroi zyrtarisht se trualli është pronë private dhe se për të është dhënë një leje ndërtimi.

Sh.Me.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›