Kryeministri merr pjesë në mbledhjen e Grupit parlamentar të PD-së
Gjatë mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha përshëndeti dhe njëherë të rinjtë shqiptarë për fillimin e vitit të ri shkollor. Ai u ndal në nismën e qeverisë "Shqipëria në moshën e internetit", duke e vlerësuar atë si përpjekjen më madhore për të rritur me dhjetëra herë shkallën e përhapjes së internetit në shoqërinë shqiptare.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u shpreh:
"Sot nuk mund të flasësh për asgjë tjetër përveçse shkollës. Kjo është një ditë e shënuar për të gjitha familjet. Edhe njëherë të bëjmë një urim të përbashkët për të gjithë nxënesit, prindërit dhe të gjithë shqiptarët për këtë ditë të rëndësishme.
Janë shënuar ndryshime reale në fushën arsimore dhe ka një bilanc realisht optimist. Megjithë degradimin dhe rrënimin e madh që pati, përpjekjet e këtij viti kanë dhënë rezultate në disa drejtime.
Së pari, ka një kthesë në qëndrimin ndaj mësuesit dhe ky është kusht për të shënuar kthesën në shkolla. Duke shkurtuar shpenzimet abuzive të administratës ne parandaluam përdorimin e parave publike për qëllime private nga zyrtarët. Kjo bëri të mundur që të rrisnim rrogat e mësuesve me 23 përqind një rritje më e madhe nga ajo që kishim shpallur. Ne do vazhdojmë me rritjen. Në buxhetin e ri është parashikuar rritja e re me 20 përqind, duke përfshirë këtu edhe 23 përqindshin. Ne do të vazhdojmë përpjekjet.
Rezultate shumë ta qarta janë dhënë në luftën kundër korrupsionit në këtë sektor. Nuk mund të them se e kemi zhdukur korrupsionin, por hartimi, botimi dhe shpërndarja e teksteve kanë qenë më në integritet se asnjë herë. Sot mbi 90 përqind e nxënësve marrin tekstet dhe brenda 10 ditëve plotësohen të gjithë me tekste. Ministra e Arsimit ka bërë kujdes të madh dhe ka sjellë hologramat nga Londra apo Gjermania për t'ua vendosur teksteve, në mënyrë që të shmanget tregu i zi. Ky është një rast për t'u bërë thirrje prindërve që të mos pranojnë të blejnë asnjë libër në tregun e zi. Sipas kategorive ekonomike, ata që janë më në nevojë do t'i marrin librat shkollore me subvencion 80-90 përqind.
Po kështu edhe hyrja në Universitete. Janë dy praktika; praktika e vjetshme kleptokratike dhe praktika e sivjetshme universitete të hapura për të gjithë. Ashtu sikurse në asnjë vend, jo çdo degë mund të pranojë të gjithë ata që dëshirojnë, por janë të hapura pranimet dhe asnjë nga ata që ka plotësuar kriteret nuk mbetet jashtë universitetit.
Ky është një konkretizim shumë i rëndësishëm i asaj nisme që ndërmorëm. Janë hequr kuotat dytësore barazuar me ato parësore, pasi edhe ato ishin një gjobë e tmerrshme. Nuk mund të harrohet rasti i një të riu intelektual i cili kishte humbur shikimin, por megjithatë kishte mbaruar një fakultet. Ai kërkonte të studionte në një fakultet të dytë, por për këtë gjë i kërkonin 3 milionë.
Pra, hapësirë më e madhe është krijuar edhe në këtë plan. Natyrisht shkolla ka probleme serioze. Por ne nuk mund të ndalemi dhe nuk do të ndalemi pa bërë modernizimin e shkollave tona.
Projekti internet në çdo shkollë po ridimensionohet. Ai i shërbeu shumë vendit, pasi është ky projekt që bëri që të tejkalohet koncepti i internetit në çdo shkollë. Interneti do të jetë patjetër.
Sot, unë para të rinjve të gjimnazit "Sami Frashëri" shpalla nismën "Shqipëria në moshën e Internetit", e cila përbën përpjekjen tonë më madhore për të rritur me dhjetëra herë shkallën e përhapjes së internetit në shoqërinë shqiptare. Kjo përbën përpjekjen tonë më madhore për të ulur në maksimumin e mundshëm çmimet e përdorimit të internetit, të cilat janë të larta.
Hapat e para shumë serioze janë ndërmarrë në këtë drejtim. Telekomi dhe drejtuesit ekzekutiv të tij kanë marrë vendimin që të furnizojnë të gjithë abonentët, nëpërmjet një tenderi me modem ADSL, një modul që i lejon ata të marrin internet me band të gjerë.
Përpjekje tjetër madhore do të bëjmë për kompjutera të leverdisshëm. Pavarësisht se jemi shumë të vetëdijshëm për mungesat e mëdha që ekzisojnë në familjet shqiptare, pasi një përqindje e tyre jetojnë në mjerim, por në asnjë rrethanë nuk duhet të injorojmë ushqimin e trurit. Ne do të përpiqemi që ushqimi i trupit të mos jetë problem për familjet dhe ju siguroj se do ta realizojmë këtë shpejt. Por nuk është më pak i rëndësishëm ushqimi i trurit. Telekomi ka vendosur gjithashtu të instalojë "wire max", teknologji kjo nga më të avancuarat.
Vërtetë kemi arritur rezultate të qarta në luftën kundër korrupsionit në arsim, por dua t'ju informoj ju se policia kriminale ka prangosur pedagogun, i cili merrte 80 euro për provim në një nga universitetet e vendit dhe ju siguroj se ai nuk është i vetmi. Akoma kemi korrupsion të qartë në provimet universitare, kemi korrupsion në shëndetësi. Ne nuk pajtohemi me këtë. Ashtu siç u veprua me maturën shtetërore, ne jemi të përgatitur dhe do të veprojmë me çdo provim që jepet në universitete. Asgjë nuk shëmton më shumë sesa korrupsioni në universitete dhe shëndetësi. Ky akt e dehumanizon shëndetësinë dhe e çnjerëzon atë. E largon nga parimet fisnike mbi të cilat ajo është e bazuar.
Ne jemi të përgatitur që me reforma të thella ta nxjerrim edhe shëndetësinë, arsimin, por edhe sisteme të tjera, jashtë korrupsionit. Pra, hapat që kemi bërë, arritjet që kemi realizuar, janë shumë inkurajuese, por i konsiderojmë vetëm si stacione nga të cilat kemi mundësi të bëjmë më shumë.
Le t'ua kushtojmë fëmijëve këtë ditë, sepse është një ditë e gëzuar për ata, për të gjithë shqiptarët" .