E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton shkollën "Sami Frashëri", me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor

Sot paradite, Kryeministri Berisha vizitoi shkollën e mesme "Sami Frashëri", me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor. Kryeministri, i shoqëruar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Genc Pollo dhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore, përshëndeti të gjithë nxënësit në Shqipëri në këtë ditë të rëndësishme, duke ju uruar një vit shkollor të suksesshëm.

Gjithashtu, Kryeministri përuroi dhe vizitoi sallën e internetit të kësaj shkolle, ku u njoh nga nxënësit me ambjentet dhe pajisjet e teknologjisë informative për funksionimin e kësaj salle të re.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:

Është një privilegj i madh për mua të ndaj me ju gëzimin e kësaj dite, ditë ndër më të bardhat për Shqipërinë, ditë në të cilën familjet shqiptare dhe kombi në tërësi nisin drejt tempujve të dijes djem dhe vajza, të cilët janë, në kuptimin më të madh të fjalës, pasuria absolute më e çmuar e familjeve, e kombit, e Shqipërisë.

Kam ardhur sot sërish të pohoj para jush se shkollimi juaj, shkollimi i fëmijëve shqiptarë, përbën për ne preokupimin më madhor, përparësinë më të madhe. Ne jemi të vendosur që me një proces të tërë reformash të çojmë arsimin në nivelin bashkohor.

Ne nuk kemi humbur kohë, por nisëm menjëherë gjatë këtij viti reforma të thella me të cilat në 4 vjet u zotuam që të ndryshojmë arsimin e Shqipërisë, edukimin e fëmijëve shqiptarë. Përpjekjet janë konkrete dhe reale. Një vit më parë ne shpallëm dyfishimin e buxhetit të shtetit për shkollat dhe edukimin. Ne po i përmbahemi me seriozitet këtij objektivi.

Një vit më parë ne shpallëm se ndryshimet do të fillojnë me mësuesin. Kam shumë kënaqësi të vij sot tek ju, pasi realizuam rritjen më të madhe të rrogave në historinë e 15 viteve dhe ju siguroj se rrogat do të rriten progresivisht derisa, brenda 3 viteve, ato të dyfishohen. Pa një mësues të trajtuar siç e meriton, nuk mund të ndryshohen shkollat.

Një vit më parë ne shpallëm programin e shkollave të informatizuara për ju, internet në çdo shkollë. Sot vijmë tek ju për t'u komunikuar se e konsiderojmë të tejkaluar këtë projekt.

Vij këtu për t'u zotuar dhe për të shpallur para jush projektin e ri "Shqipëria në moshën e internetit". Ky është zotimi ynë. Sepse unë kam bindjen se interneti në shtëpitë tuaja, interneti për mbarë fëmijët shqiptarë, jo vetëm në shkolla por edhe në shtëpi, do të shndërrohet në levën e Arkimedit për zhvillimin e Shqipërisë.

Në mendjet tuaja, në imagjinatën tuaj është shtëpia e shqiptarëve e viteve 2020. Ne do ju ndihmojmë që ta ndërtoni atë aq të bukur sa e imagjinoni vet, aq të mirë sa e doni vet.

"Shqipëria në moshën e internetit" do të thotë Shqipëria në moshën tuaj, do të thotë Shqipëria në imagjinatën tuaj, do të thotë Shqipëria në bukurinë tuaj, do të thotë Shqipëria në shpejtësinë tuaj.

Ndaj dhe ne kemi vendosur me një reformë të jashtëzakonshme të pajisim me portale internetin me band të gjerë, të shumëfishojmë dhjetëra e dhjetëra herë numrin e atyre që sot kanë internet, të rrisim përhapjen e internetit në Shqipëri, brenda një kohe të shkurtër, më shumë se 30 herë. Për këtë ne do t'u drejtohemi teknologjive më moderne dhe teknologjive më të avancuara që gjenden në fushën e komunikimit.

Unë e di që fëmijët shqiptarë kanë nevoja të shumta, unë e di se familjet shqiptarë përballen me probleme të mëdha për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Unë zotohem para jush se do të bëjmë çdo përpjekje për të përmirësuar gjithnjë e më shumë jetën dhe gjendjen e familjeve shqiptare. Por nuk mund të injorojmë në asnjë moment pasurinë përrallore që gjendet në trurin tuaj.

Ndaj dhe "Shqipëria në moshën e internetit", apo Shqipëria në moshën tuaj, është programi të cilin qeveria do ta zbatojë me përkushtim të madh, pavarësisht nga çmimi. Është programi që qeveria do ta realizojë gjatë këtij mandati, e bindur se këtu do të mundësohet shpalosja e një potenciali të madh që do shpejtojë shumë zhvillimin e Shqipërisë.

Të dashur nxënës e nxënëse! Besimi më i madh është tek ju, tek potenciali juaj. Ndaj edhe ne do të bëjmë të mundur që çdo vit sistemi ynë arsimor të kapë nivele të tjera. Ne jemi angazhuar në një betejë për nxjerrjen e tij nga korrupsioni. Jam shumë i lumtur si pedagog që kam kaluar 23 vjet, se rezultatet më spektakolare i kemi patur në sistemin arsimor. Zotohem para jush se këtë betejë, e cila nxin emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, do ta vazhdojmë me sukses të plotë.

Shkollat, nxënësit, mësuesit, kanë nevoja të mëdha. Ndihem i lënduar kur kujtoj se ju kaloni dimërat pa ngrohje. Unë kam marrë një zotim se qeveritarët të cilët prekin fondet e ngrohjes së shkollave tuaja do të përballen me rreptësinë e ligjit.

Ne do të përpiqemi të zgjerojmë kapacitetet ekzistuese të shkollimit të fëmijëve. Ne kemi një program ambicioz. Klasa me 25-30 nxënës. Kemi siguruar buxhetin dhe po bëhen projekte. Ne do ta shndërrojmë atë në realitet.

Duke përfunduar, edhe njëherë ju uroj për këtë ditë të gëzuar, uroj të gjithë fëmijët e Shqipërisë, të gjithë prindërit shqiptarë, të gjithë shqiptarët. Është ditë e gëzuar për të gjithë.

Urimet më të mira".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›