E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri takohet me Presidentin e Senatit të Rumanisë, Zotin Nicolae Vacaroui

Sot, Kryeministri Berisha mirëpriti Presidentin e Senatit të Rumanisë, Zotin Nicolae Vacaroui.

Të dy personalitetet bashkëbiseduan për bashkëpunimin dhe shkëmbimet midis të dy vendeve dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve në të ardhmen.

Kryeministri Berisha vlerësoi miqësinë e madhe midis dy popujve tanë, e cila shtrihet thellë në kohë. Në mënyrë të veçantë, zoti Berisha theksoi faktin që shumë personalitete të shquara shqiptare të shekullit të kaluar u shkolluan dhe u formuan në Rumani për të luajtur më pas një rol të rëndësishëm në kulturën dhe historinë e Shqipërisë.

Kryeministri Berisha përgëzoi Zotin Nicolae Vacaroui për anëtarësimin e Rumanisë në janar 2007 në Bashkimin Europian, duke theksuar se kjo është një ngjarje historike, jo vetëm për Rumaninë dhe miqtë e saj, por për të gjithë Ballkanin.

Nga ana e tij, Presidenti i Senatit rumun Nicolae Vacaroui e përgëzoi Kryeministrin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizm-Asociimit me Bashkimin Evropian, duke shprehur mbështetjen e Rumanisë për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Në mënyrë të veçantë, ai shprehu gadishmërinë e Rumanisë për të ofruar eksperiencën e saj në procesin e përmbushjes së marrëveshjes së asociimit dhe negociatave të mëtejshme të Shqipërisë me BE-në.

Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Senatit rumun Nicolae Vacaroui theksuan se bashkëpunimi politik dhe ai miqësor midis dy vendeve është i shkëlqyer. Ata vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe ndihmën e madhe që Rumania ka dhënë në këtë drejtim për shkollimin e qindra dhe mijëra studentëve shqiptarë. Arritja e një protokolli të ri të bashkëpunimit në fushën e arsimit midis të dy vendeve u vlerësua si një element i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit.

Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha dhe Presidenti i senatit rumun Nicolae Vacaroui gjetën mirëkuptim se niveli aktual i marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare mund dhe duhet të përmirësohet në të ardhmen. Në këtë aspekt, Kryeministri Berisha shprehu gadishmërinë e Shqipërisë për të mbështetur dhe krijuar lehtësira për investimet e biznesit rumun në Shqipëri. Shikimi i mundësisë së rivendosje së fluturimeve direkte midis të dy vendeve do të ishte një ndihmë e madhe për lehtësimin e kontakteve dhe bashkëpunimit.

Duke u angazhuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, ata u angazhuan për të realizuar sa më shpejt rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, për të reflektuar ndryshimet e nevojshme si rezultat i anëtarësimit të Rumanisë në BE.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›