E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri merr pjesë në ceremoninë e përurimit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e fabrikës së çimentos në Fushë Krujë, një nga investimet e mëdha të huaja në vend.

Fabrika, me kapacitet 1.4 milion ton çimento në vit dhe me teknologji nga më bashkohoret, është një investim prej 150 milion dollarë i grupit "Seament Holding".

Kryeministri e vlerësoi projektin si më të madhin e këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por dhe më gjërë. Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri, synon ta shndërrojë Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet dhe për këtë do të aplikohen standartet më liberale për to.

Gjithashtu, Kryeministri vuri gurin e parë të themelit për fillimin e punimeve për pjesën e dytë të fabrikës, e cila do të rrisë më tej kapacitetin e saj prodhues.

Presidenti i grupit "Seament" falenderoi Kryeministrin për inkurajimin dhe mbështetjen për realizimin e këtij projekti ambicioz, duke synuar konkurimin edhe në tregjet ndërkombëtare.

Duke përshëndetur drejtuesit e grupit "Seament", specialistët dhe punonjësit e fabrikës, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:

"Sot është një ngjarje e madhe jo vetëm për ju dhe Fushë Krujësn, por realisht është një ngjarje e madhe për të gjithë Shqipërinë. Sot inagurohet fabrika nga më modernet në kontinent, me teknologjinë më të avancuar. Kjo fabrikë inagurohet në një kohë kur Shqipëria ka nevoja të mëdha dhe në rritje për çimento. Në këtë kontekst, kjo fabrikë është një katalist i madh i zhvillimit të vendit në tërësi.

Ne inagurojmë, sot, edhe fillimin e punimeve për pjesën e dytë të saj, me të cilën grupi "Seament" dyfishion prodhimin e çimentos në Shqipëri.

Zoti president, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për presidentin e grupit, familjes dhe bashkëpunëtorëve tuaj për vendimet shumë të rëndësishme që morët për të investuar në Shqipëri.

Projektet janë ëndrrat më të bukur të njeriut, sepse ato janë ëndrrat e ditës. Ju vendosët në Shqipëri ëndrrat tuaja, besimin tuaj. Dua t'ju siguroj se keni mirënjohje të madhe nga ne si dhe vendosmërinë tonë të plotë për t'ju mbështetur dhe lehtësuar në të gjithë veprimtarinë tuaj dhe në projektet tuaja të ardhshshme.

Sëbashku diskutuam për edhe për projekte të reja. Kam mirëpritur angazhimin tuaj për të investuar në fushën e energjisë. Energjia është ajo që i duhet më shumë se çdo gjë tjetër Shqipërisë dhe Ballkanit. Vizioni juaj për zhvillimin është jashtëzakonisht i vyer.

Ne po përpiqemi dhe do të bëjmë çdo përpjekje për të shndërruar këtë vend në vendin më tërheqës për investimet vendase dhe të huaja. Unë ju siguroj se ne do të adaptojmë këtu standartet më liberale, do t'i konsolidojmë ato në mënyrë që projektet tuaja të kenë sukses të plotë.

Dua, gjithashtu, të falenderoj me mirënjohje të gjitha bankat, të cilat ju ndihmuan ju për të realizuar këtë projekt madhështor.

Të falenderoj kompanitë nga të cilat ju importuat makineritë e mëdha, si dhe specialistët shqiptarë dhe kinezë, të cilët në një kohë rekord shndërruan në realitet këtë vepër të madhe.

Dua të përshëndes të gjithë punëtorët dhe të shpreh nderimin tim të madh për punën e tyre tepër të çmuar që bëjnë në këtë fabrikë.

Dëshiroj t'ju shpreh edhe një herë mirënjohjen për besimin tuaj të madh në Shqipëri. Ne jemi krenarë me besimin që keni dëshmuar në 15 vite. Siç është rregull universal, ata që persistojnë fitojnë. Sëbashku kemi persistuar dhe kemi fituar."

Më pas, duke iu përgjigjur interesimit të medias në lidhje me hartimin e një skeme të re të asistencës, Kryeministri bëri këtë koment:

Kryeministri: Duhet të ndërrojmë skemën e asistencës dhe ta rishqyrtojmë në mënyrë që ajo të adresojë së pari problemet më kryesore të qytetarit në nevojë. Ky është qëllimi ynë. Ministri përkatës mori dje porosinë ta shqyrtojnë atë bashkë me dikasteret e tjera. Ne nuk mund të ecim më në këtë mënyrë që disa të lahen në vaska floriri, ndërsa të tjerë të numërojnë kafshatën. Prandaj do të ketë një rishqyrtim të skemës së asistencës ndaj atyre që janë më në nevojë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›