E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryengritësit në Kongo tërhiqen nga Goma

Kryengritësit në lindje të Republikës Demokratike të Kongos filluan të tërhiqen nga qyteti i rëndësishëm i Gomas, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Uganda.

Pjesëtarët e grupit kryengritës M23 u panë duke hipur në kamionë dhe duke u larguar nga qyteti, 11 ditë pasi e pushtuan atë përballë kundërshtimit të dobët të trupave qeveritare dhe paqeruajtësve të OKB-së.

Marrëveshja parasheh që kryengritësit të tërhiqen në një distancë jo më të vogël se 20 kilometra nga qyteti, që ka mbi 500 mijë banorë. Kryengritësit në radhët e M23 dezertuan nga ushtria e Kongos në prill. Ata raportohet se veprojnë për qeverinë e Ruandës, e cila i mohon akuzat.

Kongo është një nga vendet më të pasura në botë me minerale, gjë që është cilësuar edhe si një mallkim për popullin e saj, i cili ka rënë pre e kryengritjeve dhe trazirave të vazhdueshme të organizuara në përpjekje për të vjedhur pasuritë e nëntokës.

Kryengritësit janë në shumicë të etnisë Tutsi dhe besohet se numërojnë 1200 deri në 6 mijë luftëtarë. Kreu i tyre akuzohet se rekruton fëmijë për ushtarë.

Rreth 5 milionë njerëz janë vrarë mes viteve 1997 dhe 2003 nga lufta civile në Kongo, ku u përfshinë edhe shumë vende të tjera të rajonit të liqeneve të mëdha.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›