E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kryeparlamentarja Nikolla vizitë zyrtare në Itali, takon presidentin e Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana

Shqipëria dhe Italia kanë një partneritet strategjik, fakt që është theksuar edhe gjatë një takimi mes presidentit të Dhomës së Deputetëve të Italisë, Lorenzo Fontana dhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Romë.

Në këtë vizitë Nikolla shoqërohet nga zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj, zëvendëskryetari, Agron Gjerkmarkaj, kryetari i grupit parlamentar të miqësisë me Italinë, Arben Pëllumbi, si edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani.

Sipas njoftimit për shtyp, në takimin me Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Fontana, kryeparlamentarja Nikolla vuri në dukje se midis Shqipërisë dhe Italisë po zhvillohet një Partneritet Strategjik dhe bashkëpunim i shkëlqyer dypalësh, i cili mbështetet në marrëdhëniet historike, kulturore, ekonomike, politike e njerëzore mes dy vendeve. Sipas Nikollës, Italia ka qenë ndër mbështetësit më të fortë të Shqipërisë gjatë 30 viteve të fundit dhe një avokate e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë.

 “Ne kemi besim se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë zhvillimit të negociatave. Vlerësojmë faktin që qeveria e re italiane e konsideron prioritet rajonin e Ballkanit dhe do ta fokusojë angazhimin e saj politik në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit. Samiti BE-BP, i mbajtur në Tiranë më 6 dhjetor 2022, ishte një sinjal i fortë për rrugëtimin e evropian të Shqipërisë dhe Ballkani Perëndimor.”- theksoi Nikolla.

Sipas saj, Italia është një partnere e privilegjuar tregtare dhe një nga donatoret kryesore dypalësh të Shqipërisë.

“Emigrantët shqiptarë dhe komuniteti arbëresh në Itali, si dhe prania e shtetasve italianë në Shqipëri, po shërbejnë si ura të miqësisë midis dy popujve tanë.”- theksoi kryeparlamentarja.

Nikolla vlerësoi angazhimin politik të qeverisë italiane dhe nismën e Dhomës së Deputetëve për të alokuar fonde për zbatimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe i sugjeroi Presidentit Fontana përfundimin sa më shpejt të këtij procesi.

Gjithashtu, Nikolla kërkoi mbështetjen e Italisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, si dhe për Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi pretendimet e pabazuara për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”,- si një domosdoshmëri absolute për pajtimin dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan.

Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Fontana, vuri në dukje se bashkëpunimi dypalësh mes Italisë dhe Shqipërisë do të vijojë në të gjitha fushat dhe po kështu edhe mbështetja për integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, i cili e ka vendin në BE.

Bashkëbiseduesit vlerësuan si një moment historik pranimin nga Kosova dhe Serbia të planit evropian për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nënvizuan se paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen e të dy vendeve dhe paqen në rajon.

Shqipëria dhe Italia mbështesin luftën e drejtë të Ukrainës kundër agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›