Shifrat e Eurostat për të rinjtë/ Ilir Meta: Qeveria, armike e arsmit! Sinjal i fortë alarmi

Duke iu referuar shifrave të Eurostat, ku Shqipëria renditet e fundit në rajon për nivelin e të rinjve që përfundojnë studimet e ciklit të mesëm dhe të lartë, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thekson se kësaj gjendjeje i duhet dhënë fund.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Meta shkruan se përkeqësimi i këtyre treguesve është një sinjal i fortë alarmi.
“Përkeqësimi i treguesve të arsimit në Shqipëri është jashtëzakonisht shqetësues dhe një sinjal i fortë alarmi. Sipas Eurostat, Shqipëria renditet e fundit në rajon përsa i takon nivelit të të rinjve që përfundojnë nivelin e studimeve të mesme dhe të larta. Për vitin 2021, Shqipëria është përkeqësuar në këtë tregues duke rënë në 55.7% nga 74% që ishte në vitin 2010, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit kanë arritur përmirësime të dukshme, krahasuar po me vitin 2010”, shkruan Meta.
Sipas Metës, e gjitha kjo situatë ka ardhur si pasojë sepse banda e “Rilindjes” siç e quan Meta është kthyer në armike të arsimit dhe e ardhmes së të rinjve shqiptarë.
“Kjo ndodh sepse banda e “Rilindjes” është kthyer në një armike e arsimit, e mundësive dhe e së ardhmes së të rinjve shqiptarë. Prandaj dhe ndryshimi është një domosdoshmëri. Ne duam t’i japim fund gjendjes së vështirë ku ndodhet Arsimi sot në Shqipëri. Ndaj ne kemi vendosur ta shpallim arsimin prioritetin e prioriteteve të Partisë së Lirisë. Shqipëria u përket të rinjve!”, përfundon Meta.
/rtsh.al/