E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeparlamentarja Topalli, në takimin e 5-të botëror të kryeparlamentareve femra

Tiranë, 16 korrik, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori pjesë në takimin e 5-të ndërkombëtar të kryeparlamentareve gra, i cili u organizua në Vjenë nën kujdesin e  kryetares së parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer.

Në këtë takim, dhuna kundër grave dhe  kriza  financiare ndërkombëtare u identifikuan si çështje që ndikojnë në përkeqësimin e pozicionit të gruas në çdo vend, pavarësisht  zhvillimit social  dhe ekonomik  të tij. Në fokus të debatit ishte domosdoshmëria e një vizioni të ri për të shmangur pasojat e krizës me masa, që, vërtet kanë qëllime të mira, por, prej të cilave gratë nuk përfitojnë. 

Kryeparlamentarja Topalli argumentoi se kriza ekonomike ndërkombëtare dëmton, së pari gratë për shkak të pozicionit të tyre të pabarabartë, veçanërisht në tregun e punës.

Ajo ofroi modelin e Shqipërisë si një vend, që nëpërmjet zbatimit  të  një paketë të guxishme fiskale dhe dyfishimit të të ardhurave, edhe nga lufta kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, ka realizuar rritjen më të madhe ekonomike në Europë, duke ndikuar në mirëqënien e familjes shqiptare dhe,  në mënyrë të veçantë, të gruas.

Në fjalën e saj më pas, kryetarja e Kuvendit theksoi se ndryshimi nuk duhet të vijë vetëm nëpërmjet politikave mbrojtëse për gratë, por para së gjithash, ndryshimi vjen nga ajo çka gratë bëjnë për vetveten.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›