Kryepeshkop Joani në audiencë private me papa Leonen XIV

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, u takua me papa Leonen XIV.
Takimi historik u zhvillua në një audiencë private, pas pjesëmarrjes në aktivitetin ndërkombëtar “Osare la pace”, të organizuar nga Komuniteti i Sant’ Egidios në Romë.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bënë të ditur sot se gjatë këtij takimi u diskutua për çështje të ndryshme me interes të përbashkët dhe u theksua rëndësia e rivendosjes së paqes dhe ndalimit të luftrave që po mundojnë botën. Diskutimi u ndal edhe në interesimin dhe përkujdesjen e veçantë ndaj të rinjve, të cilët janë jo vetëm e ardhmja, por dhe e tashmja e shoqërive.
“Ky takim historik dëshmon për përpjekjet e përbashkëta të të krishterëve si faktor kyç për paqen, në të cilin Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë luan një rol shumë të rëndësishëm”, shkruhet në faqen online të Kishës, e cila thekson se vazhdon të jetë e angazhuar për marrëdhënie miqësore e të hapura me të gjithë.
Në fund të takimit papa Leone XIV dhe kryepeshkop Joani shkëmbyen dhurata.
1 nga 3/r.e/a.f/