E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryepeshkopi Joan merr urime nga krerët e kishave ortodokse dhe papa Leone XIV për ditën e emrit

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, ka marrë urime dhe vlerësime nga primatë të kishave ortodokse simotra dhe nga papa Leone XIV me rastin e ditës së emrit.

Festimit madhështor të ditës së emrit të Fortlumturisë së Tij, Joani, kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, më 26 shtator 2026 në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, iu bashkuan edhe letrat e shumta me urime dhe vlerësime të dërguara nga primatë të Kishave Ortodokse simotra nga mbarë bota.

Patriarku Ekumenik, Bartholomeu në letrën e tij, vlerëson kontributin e kryepeshkopit Joan, duke e cilësuar atë si “atin e dhembshur shpirtëror” dhe “timonierin e urtë” në udhëtimin e Kishës. Patriarku i përcjell gjithashtu urime për shëndet, jetë të gjatë, gëzim shpirtëror dhe bekime në shërbesën e tij.

Kryepeshkopi Joan mori urime edhe nga primatët e kishave simotra: Patriarku i Jerusalemit, Theofili III; Patriarku i Rusisë, Kirilli; Patriarku i Rumanisë, Danieli; nga Patriarkana e Gjeorgjisë; Kryepeshkopi i Qipros, Gjeorgji; Kryepeshkopi i Greqisë, Jeronimi II etj.

Një mesazh të veçantë ka dërguar edhe papa Leone XIV, i cili i uroi kryepeshkopit Joan shëndet, paqe dhe gëzim shpirtëror.

“Në këtë kohë të shënjuar nga konfliktet dhe dhuna, shpresoj që katolikët dhe orthodhoksët në Shqipëri do të vazhdojnë në rrugën e respektit reciprok, dialogut dhe bashkëjetesës paqësore, duke ndërmarrë projekte bashkëpunimi në fushat ku tani është e mundur të punohet bashkë, siç janë mësimi i besimit te brezat e rinj, mbrojtja e dinjitetit të qenies njerëzore dhe shërbimi ndaj atyre që kanë më shumë nevojë”, thuhet në mesazhin e papa Leones XIV.

Mesazhin e Shenjtërisë së Tij, papa Leone XIV, drejtuar kryepeshkopit Joan e përcolli nunci apostolik i Selisë së Shenjtë (Vatikanit) në Shqipëri, arqipeshkvi Miroslaw Adamczy, i cili shprehu urimet dhe vlerësimet e tij të larta personale për Kryepeshkopin e Shqipërisë.

Letra urimi dhe vlerësimi dërguan mitropolitë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota Ortodokse, ku shprehet vlerësimi i madh për shërbesën e kryepeshkopit Joan në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›