Kushi: Siguria e fëmijëve në shkolla, prioritet i prindërve dhe komunitetit

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Nënkryetarja e Kuvendit, Evis Kushi zhvilloi sot një takim me stafin pedagogjik dhe nxënësit e gjimnazit të Pogradecit, në kuadër të punës së Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Gjatë takimit u diskutua për sigurinë në shkolla dhe problematikat me të cilat përballen nxënësit, me fokus të veçantë te siguria online dhe rreziqet që lidhen me përdorimin e rrjeteve sociale.
Në një pronioncim për mediet pas takimit, Kushi tha se një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga mësuesit dhe prindërit lidhet pikërisht me sigurinë e fëmijëve në internet.
“Dëgjuam nga afër mendimet e të gjithëve, shqetësimet e tyre dhe propozimet e tyre pikërisht për këtë tematikë, sigurinë e fëmijëve tanë në shkolla. Natyrisht që kur flasim për shkollat, kur flasim për arsimin, vëmendja jonë është arsimi cilësor, arsim gjithëpërfshirës, arsim i barabartë, por ajo që kërkojnë prindërit dhe i gjithë komuniteti në radhë të parë është siguria e fëmijëve”, theksoi Kushi.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e shkollave me oficerët e sigurisë, shërbimin psiko-social, mësuesit ndihmës, policinë, bashkinë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte forcimi i masave të sigurisë në shkolla, përfshirë vendosjen e kamerave.
“Të jeni të sigurt që të gjitha vendimet që janë marrë, përfshirë këtu dhe kamerat, janë në funksion të sigurisë së nxënësve. Ky është qëllimi primar”, tha Kushi, duke shtuar se zbatimi i tyre do të bëhet në përputhje me rregullat dhe protokollet përkatëse.
Kushi u ndal gjithashtu te programi “Pas shkolle”, i cili synon t’u mundësojë nxënësve qëndrimin në mjediset e shkollës edhe pas përfundimit të orarit mësimor, për aktivitete artistike, sportive, zeje dhe veprimtari të tjera jashtëkurrikulare.
“Programi ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e prindërve dhe është mirëpritur edhe nga stafet e shkollave. Ky program nuk mund të zbatohet menjëherë në të gjitha shkollat, pasi për momentin janë përzgjedhur në çdo bashki ato institucione që plotësojnë kushtet e nevojshme infrastrukturore. Qëllimi dhe objektivi është që ky projekt të shtrihet në të gjitha shkollat”, tha Kushi.
Takimi në Pogradec u zhvillua në kuadër të angazhimit të Komisionit Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale për të marrë nga afër shqetësimet dhe propozimet e komuniteteve në lidhje me funksionimin dhe sigurinë në institucionet arsimore.
/k.s/r.e/