Kryeprokurori i Tiranës, një njeri i përfolur për lidhje me krimin
Nga sot prokuroria e Tiranës, organi i akuzës më i rëndësishëm në vend, ka një shef të ri: Petrit Fushën.
Ndërsa prokuroria e Krimeve të Rënda, e ngritur në vitin 2004, do të drejtohet nga një prokuror i ri, Eugen Beçi.
Ndryshimet e organeve më të rëndësishme të akuzës në vend u bënë publike nga kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili për të garantuar mbështetjen e tij ndaj drejtuesve të këtyre strukturave, ka marrë pjesë në prezantimin e Fushës dhe Beçit. Vendimi i emërimit të Petrit Fushës dhe Eugen Becit erdhi pas rekomandimeve të bëra nga Këshilli i Prokurorisë, një organ konsultativ për Prokurorin e Përgjithshëm.
Në këtë Këshill, ku Petrit Fusha kishte ofruar kandidaturën e tij për postin e kryeprokurorit të Tiranës, ka marrë 3 vota, ndërsa pas tij u renditën Ferdinand Elezi dhe Adnan Kosova.
Në fakt, propozimet e Këshillit të Prokurorisë duhet të bëheshin pas verifikimit të figurës së kandidatëve.
Këshilltari për mediat i kryeprokurorit, Albi Seriani, thotë se për emërimet e bëra janë ndjekur procedurat standarde dhe Fusha ka dalë i pastër nga filtri i organeve të specializuara të pastërtisë së figurës.
Prokurori i përfolur
Petrit Fusha, kryeprokurori i ri i Tiranës, prej vitesh ka qenë në këtë akuzë për lidhje me krimin, në kohën kur ka kryer detyrën e shefit të ekzekutimeve apo edhe zv/prokurorit.
Po kështu, nga dokumentet që ka sigurua TemA, në vitin 2008 ndaj Fushës është kërkuar hetim penal, pasi akuzohej për shpërdorim detyre.
Akuzat më të rënda ndaj prokurorit të emëruar sot, janë ngritur në vitin 2003.
Asokohe, në kuadër të operacioneve për të goditur grupet kriminale, emri i Fushës është përfolur për përfitime të parave nga këto grupe.
Akuza është bërë publike nga ish- drejtori i Policisë Kriminale, në Ministrinë e Rendit Publik, Sokol Bizhga, pas operacionit të koduar Rrjeta e Hekurt.
Pas një sërë arrestimesh dhe zbulimit të pronave të grupeve kriminale, Bizhga deklaroi se: Prokurori i Tiranës ka një pronë të tij pranë Urës së Farkës, të cilën do ta kishte zili çdo biznesmen i pasur shqiptar. Ky prokuror, gjatë hetimeve për vrasjen e disa kohëve më parë pranë shkollës Vasil Shanto, ka pyetur autorët e vrasjes në cilësinë e dëshmitarëve, e më pas i ka liruar.
Asokohe ngjarja është komentuar gjatë në media, ndërkohë që Bizhga deklaronte se materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.
Sot, ish- drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit nuk pranon të flasë për këtë çështje. Pas aksioniy Rrjeta e Hekurt, jeta nuk ka qenë fortë e lehtë për oficerin e lartë të Policisë së Shtetit.
Po kështu, as ish-prokurori i Përgjithshëm, Dhori Sollaku nuk pranon të komentojë lëvizjet e fundit në organin e akuzës. Sollaku mjaftohet duke thënë se nuk beson se akuzat të jenë të vërteta, përndryshe asnjë prokuror i tillë nuk pjesë e organit të akuzës.
Por ky nuk është rasti i vetëm kur është përmendur emri i prokurorit të Tiranës.
Në vitin 2008 ka qenë Avokati i Popullit, ai që ka kërkuar hetim penal ndaj Petrit Fushës.
Subjekt i posaçëm i këtij krimi, siç u provua plotësisht nga provat e mbledhura, janë ish- shefi i Sektorit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale z. Kutusi Shahu dhe shefi aktual i këtij sektori z. Petrit Fusha, të cilët kanë kryer drejtpërdrejtë mosveprimet e kundërligjshme. Ata janë madhorë dhe të përgjegjshëm para ligjit. Nga ana subjektive, ky krim është kryer nëpërmjet mosveprimit duke mos nxjerrë urdhrin Për anulimin e urdhrit të ekzekutimit të vendimit Nr. 276, dt. 14.11.207 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të dënuarin Kastriot Prendi dhe është kryer me dashje të drejtpërdrejtë të të dy subjekteve të krimit Kutusi Shahu dhe Petrit Fusha, thuhet në shkresën e Avokatit të Popullit të vitit 2008, ku rekomandohet fillimi i hetimeve ndaj Kutusi Shahu e Petrit Fushës, për veprën penale të Shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Kryeprokurori ka vendosur emërimin e Fushës në krye të Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që pritet që në ditët në vijim Llalla të vendosë edhe për postet drejtuese të prokurorisë së Durrësit, Fierit dhe Shkodrës.
Pak ditë më parë, për këto pozicione, nga mbi 100 prokurorë, u paraqitën 19 kandidatura në Këshillin e Prokurorisë.
Në përfundim të mbledhje, Këshilli i Prokurorisë, i përbërë nga shtatë anëtarë, i përcolli Prokurorit të Përgjithshëm, përzgjedhjen e tyre për drejtuesit e rinj.
Kështu, për Prokurorinë e Tiranës kandiduan 5 prokurorë, ku Petrit Fusha mori 3 vota, Ferdinand Elezi 3 vota dhe Adnan Kosova 1 votë.
Për Prokurorinë e Durrësit kandiduan 4 prokurorë, për të cilët votat e Këshillit u ndanë për Besnik Hajdarmatajn 5 vota, Julian Xhengo 2 vota.
Ndërsa për Prokurorinë e Fierit kandiduan 4 prokurorë, ku Ardian Ylli mori 6 vota dhe Arjan Ndoja 1 votë.
Për Prokurorinë e Shkodrës kandiduan 2 prokurorë, ku Besnik Cani mori 6 vota dhe Tom Deda asnjë votë të Këshillit.
