Kryeprokurorja dhe Berisha-Arvizu-Rama
1. Paraprirë nga rrëzimi i akuzës në Gjykatën e Lartë lidhur me çështjen Meta-Prifti dhe përkujtimi i 21 janarit 2011, java e kaluar u dominua nga Prokuroria. Mbështetur në ekspertizën e FBI-së, Prokuroria avancoi mbi Ngjarjet në bulevard – term ky i përdorur prej saj – në dy fronte hetimore: i) kërkesa për arrest me burg të Komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, shoferit të tij dhe ekspertit IT të Kryeministrisë; ii) kërkesa për heqje imuniteti të tre deputetëve opozitarë. Kryeprokurorja foli vetë në emisionin Opinion, ndërsa dy kampet e politikës dhe media u përfshinë me pasion në diskutimin e këtyre zhvillimeve.
2. Prej kohësh 21 janari është përkufizuar sipas tri varianteve bazë: i) Varianti i liderit opozitar Edi Rama – protestë paqësore që u shndërrua në të dhunshme pas provokimit të policisë me pasojë vrasjen gjakftohtë të katër protestuese paqësorë nga regjimi fashist oriental; ii) varianti i Kryeministrit Sali Berisha – tentativë për përmbysje me dhunë të rendit kushtetues që mori përgjigjen e merituar dhe minimale; iii) varianti i ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu – protestë e organizuar për të qenë e dhunshme që të shkaktonte një kundër reagim të ashpër nga ana e qeverisë.
3. Pozicioni i Prokurorisë, gjithnjë e ndodhur brenda këtij trekëndëshi, është zhvendosur, me shumë ngërç, nga këndvështrimi opozitar në pikënisje drejt atij amerikan duke mbetur ende larg këtij të dytit dhe shumë më larg atij kryeministror. Shpjegimet e kryeprokurores Ina Rama këtë të enjte, ndërsa ishin të dobishme për shkakun se ishte hera e parë që jepej prej vetë asaj një shpjegim i gjatë, shtuan më shumë pikëpyetje dhe përforcuan perceptimin e anshmërisë së Prokurorisë nga ana e maxhorancës, ndërsa shkaktuan, në dukje, entuziazëm në opozitë, ndonëse kjo hiqet sikur është e pakënaqur prej Prokurorisë nga mospërfshirja e Kryeministrit në kërkesën për heqje imuniteti.
4. Sipas informacioneve dalë në media dhe shpjegimeve të kryeprokurores, qëndrimi i deritanishëm i Prokurorisë lidhur me 21 janarin mund të përmblidhet në sa vijon: i) videoja Meta- Prifti nuk është e manipuluar dhe ska ndonjë lidhje penale mes manipulimit të pretenduar nga maxhoranca dhe protestës opozitare; ii) protesta opozitare është e paligjshme dhe tre organizatorët e evidentuar po hetohen, deri në këtë fazë, vetëm për kundërvajtje penale, pra një natyrë e lehtë e veprimit të tyre antiligjor; iii) disa protestues janë akuzuar dhe dënuar tashmë për veprime të dhunshme; iv) disa gardistë po hetohen për vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë e kundër dy a më shumë personave, pra jo për tejkalim të mbrojtjes së nevojshme e gjatë kryerjes së detyrës.
5. Duke u nisur nga kjo e fundit, përshtypja që më lanë shpjegimet e kryeprokurores ishte sikur Ndrea Prendi dhe gardistët e tjerë në hetim për vrasje i kishin kryer ato jashtë çdo nevoje, arsyeje a rrethane – si vrasës gjakftohtë a për motive të dobëta e që për rastësi qëlluan të ishin gardistë – duke shtënë në turmë me shkujdesjen të kapë kë të kapë apo si një bandë e armatosur sadistësh që gjetën veç rastin të kënaqnin instinktin e tyre. Që njerëz të këtillë edhe ka në këtë botë, sështë çudi, e që sikur te ky përfundim Prokuroria të kishte mbërritur pas një viti përmes një hetimi të thelluar, me prova bindëse, përfshirë këtë natyrë të autorëve, do të ishte ndoshta i kapërdishëm. Por, ky këndvështrim hetimor mbi vrasjet u shpreh, me veprimet dhe deklarimet e Prokurorisë, që në mbrëmjen e 21 janarit, pa pasur ende as minimumin e provave kur edhe u kërkua ndalimi i gjashtë gardistëve me rol drejtues e në ato rrethana të ndezura e të pasigurta, kërkesë kjo që u rrezua nga gjykata për pesë prej tyre.
6. Në ligjin nr. 8869 Për Gardën e Republikës, neni 25 përcakton që: Punonjësi i Gardës përdor armën në rastet e përcaktuara në ligjin nr. 8290, datë 24.2.1998 Për përdorimin e armëve të zjarrit, si dhe në rastet kur sulmohen: a) personalitetet e larta shtetërore të vendit dhe të huaja; b) rojet dhe objektet në ruajtje. Te ky nen bie në sy që rasti i përdorimit të armës nga gardistët është i dyfishtë, qoftë si në rastin e përdorimit të tyre nga policia a ushtria e qoftë veçmas, kur Garda është në ruajtje të personaliteteve dhe objekteve mes së cilave, Kryeministri dhe Kryeministria qëndrojnë në top-listë. Ligji nuk delegon askënd në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbërthim të këtij neni, të paktën lidhur me pjesën e dytë të tij.
7. Një hetim i bazuar në arsyen e shëndoshë do të kërkonte si pikënisje që, Garda, si institucion dhe trupë e organizuar ushtarake dhe gardistët individualisht brenda saj, me detyra të ndara e të paracaktuara sipas çdo rasti, presupozohet se e përdorin armën në mbrojtje të institucionit dhe personalitetit shtetëror. Nga këtu, duke u përpjekur që të vendoseshin në rrethanat ku u gjenden gardistët, prokurorët do të duhej të gjykonin nëse përdorimi i armës ishte në përputhje me rrethanat apo në tejkalim të nevojës qoftë edhe sipas nenit 3 të ligjit Për përdorimin e armëve të zjarrit dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Për këtë qellim do të duhej të ishin mbledhur të gjitha provat dhe të rindërtohej i gjithë zinxhiri i ngjarjeve shkak-pasojë, përfshirë shtrimin e hipotezave të arsyeshme rreth zhvillimeve të mundshme të ngjarjeve në rast se Garda do të kishte vepruar pa përdorimin e armëve.
8. Të dhënat dhe deklarimet flasin që Prokuroria nuk ka operuar sipas një metode të këtillë qoftë atë ditë janari a fill pas saj, qoftë pas një viti. Natyrisht që Prokuroria mund edhe të zhbalancohet dhe, pra, të mos ruajë një ekuilibër mes sjelljes inkuizitore dhe arsyes së shëndoshë. Tek e fundit, ajo është veçse palë në një proces gjyqësor që jo më kot bazohet në kontradiktorialitetin e palëve akuzë-mbrojtje dhe drejtimin me objektivitet të procesit nga trupa gjyqësore. Por një zhbalancim i Prokurorisë lidhur me vrasjet në favor të sjellës inkuizitore nuk vërehet në hetimin e organizimit të protestës së dhunshme, tre organizatorë të supozuar të së cilës, deputetë opozitarë, po hetohen për kundërvajtje penale.
9. Që protesta u paralajmërua se do të ishte e dhunshme e se u prit nga shumëkush se do të ishte e këtillë, kjo është më se e qartë për këdo. Deklarimet e liderëve të opozitës para 21 janarit u materializuan në atë datë siç u thanë, ndaj ato nuk janë retorikë politike, siç u shpreh kryeprokurorja. Qoftë edhe manipulimi i videos Meta-Prifti, e modifikuar në mënyrë të tillë që të përfshinte Kryeministrin në aferat e pretenduara, skish se si të mos përbënte objekt hetimi kur pas saj ndodhi protesta kundër Kryeministrit, ndërkohë që Ilir Meta kishte dhënë dorëheqjen. Aq më shumë që u pa qartë – e tha edhe z. Arvizu – se protestuesit sulmuan të parët e më pas vazhduan, valë-valë, me skema të rregullta lëvizjeje sulm-tërheqje-sulm nga dy drejtime kryesore, duke pasur si bazë nisjeje Kullat Binjake përballë Kryeministrisë dhe Piramidën.
10. Prokuroria do të ishte mjaft më e mirëkuptuar nëse, duke marrë si pikënisje një akuzë më të rëndë lidhur me protestën e dhunshme dhe organizatorët e saj, do të gjendej përpara vështirësive objektive për ta bazuar atë në prova. Vërtetimi i kësi lloj akuzash penale është tejet i vështirë për shumë arsye, si mungesa e hetimeve para ngjarjes a pamundësia e përgjimeve ndaj personave me imunitet. Porse Prokuroria zgjodhi që në fillim e deri më sot të mbante një akuzë mjaft të butë ndaj organizatorëve, duke u përpjekur tia lërë barrën vetëm policisë, ndërsa, siç e përmenda më lart, përdori akuzën më ekstreme ndaj gardistëve.
11. Një zhbalancim i këtillë hetimor, në favor të inkuizicionit për çështje të lidhura me maxhorancën, ka rënë në sy prej kohësh. Lidhur me hetimet për rrugën Durrës-Morinë p.sh., për
