E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqyteti ndahet në tresh:PS 16 deputetë, PD 13, LSI 3

TIRANE- PD-ja është tkurrur në Tiranë, nga 16 man date që kishte në 2009- ën, në 13 mandate. Nga numërimi i deritanishëm rezulton se PD-ja ka mundur të sigurojë 3 mandate më pak nga zgjedhjet e kaluara parlamentare. Në qarkun e Tiranës kryesues i listës është vetë lideri demokrat Sali Berisha, i ndjekur nga zëvendësministri Myqerem Tafaj dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Në listën e demokratëve të qarkut të Tiranës një tjetër fitues për herë të parë deputet është ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova. ministri i Ekonomisë, Florion Mima ka mundur të sigurojë mandatin e dytë si deputet në Kuvendin e 2013- ës, ndërkohë që ndiqet nga kreu i FRPD-së, Gert Bogdani. Në listën e PD-së së Tiranës i gjashti në listë është një aleat. Bëhet fjalë për kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, i ndjekur nga nënkryetarja e bashkisë, për herë të parë deputete, znj.Jorida Tabaku. Edi Paloka është sërish deputet në Kuvendin e ri, i pasuar në listë nga ish-prefekti i Tiranës, Keltis Kruja. Por në listën fituese të Tiranës është dhe ish-socialisti Kastriot Islami, i cili ka mundur të qëndrojë sërish në Kuvend falë përfshirjes pikërisht në listën e demokratëve. Islami pasohet nga ishsocialisti tjetër Asllan Dogjani, i cili rezulton fitues si i 12-ti në listë. 

Ata ndiqen nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përfaqësues i ish-të përndjekurve politikë, Visar Zhiti. Pikërisht këtu ndalon lista e fituesve të PD-së në qarkun e Tiranës dhe pikërisht tek 13 mandate, ndërkohë që në zgjedhjet e 2009- ës PD-ja kishte mundur të siguronte edhe tri mandate të tjera. Ende nuk dihet se si do të rezultojë për PD-në vazhdimi i numërimit të votave, përmes së cilës PD-ja synon të marrë të paktën edhe dy mandate në kryeqytet. Partia Socialiste së bashku me aleaten e saj, Lëvizjen Socialiste për Integrim sipas rezultateve paraprake ka arritur të kapë rreth 19 mandate deputetësh. Të ndara sipas asaj që i përket secilës parti, PS ka 16 mandate ndërsa LSI 3 mandate. Veç kreut të saj, Ilir Meta, LSI tashmë i bie që të përfaqësohet me Kljada Gjoshën dhe Luan Ramën si deputetë në Kuvend. Ndërsa PS si subjekt më vete deri më tani ka arritur të ketë edhe një mandat më shumë se në 2009. Në përfundim të procesit të votimit në 23 qershor, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë, Pandeli Majko ka falenderuar të gjithë qytetarët që votuan ekipin e Koalicionit për Shqipërinë Evropiane. Ndërkohë vlen të theksohet se referuar rezultateve paraprake të zgjedhjeve në këtë Qark, rezulton se kreu i FRD, Bamir Topi dhe ai i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu deri mëngjesin e sotëm vijojnë të mbeten jashtë pragut për të hyrë në Kuvend.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›