E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha të pranojë humbjen e të bashkohet me fitoren e Shqipërisë

TIRANE – Ndërsa procesi i numërimit të votave po vijon në favor të koalicionit të majtë, lideri i socialistëve Edi Rama deklaroi se po pret që kundërshtari i tij Sali Berisha të pranojë humbjen. Në një konferencë të përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Rama tha se në këto zgjedhje ka fituar Shqipëria.

“Presim që kundërshtari të pranojë humbjen dhe të bashkohet me fitoren e madhe të Shqipërisë në një palë zgjedhje, që sikundër e kam përsëritur më parë përbënin një takim të Shqipërisë dhe shqiptarëve me historinë, në të njëjtën përmasë dhe për të njëjtën përgjegjësi për të ardhmen, si ato të vitit 1992”- u shpreh Rama.

Sipas kryesocialistit, “arsyeja pse rezultati është përtej të gjitha parashikimeve lidhet me faktin e thjeshtë që populli shqiptar ka marrë një vendim solemn për të mbyllur një epoke dhe për të hapur një epokë të re, njëlloj si në vitin 1992.”

Më tej Rama tha se ka ende kohë për fjalimin e fitores, ndërsa u bëri thirrje të gjitha skuadrave të numërimit të votave që të përfundojnë procesin në përputhje me ligjin.

“Kjo është koha për të bashkëpunuar të gjithë së bashku, të gjitha partitë që kanë përgjegjësi ndaj sovranit, Kushtetutës dhe ligjit, që procesi i numërimit të përfundojë një orë e më parë. Bëj apel që skuadrat e numëruesve të palës që kanë humbur të vazhdojnë të bëjnë detyrën në mënyrë që Shqipëria të fillojë nga puna”- tha Rama.

Sipas Ramës, “sot çdo shqiptar qe ka votuar në 23 qershor, për cilëndo forcë politike, duhet të ndihet krenar që e bëri Shqipërinë krenare në sytë e botës. Nga këto zgjedhje sot ka fituar Shqipëria”.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ayala: Fitorja e së majtës, moment i jashtëzakonshëm, qeveria të pranojë rezultatin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›