E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e Kuvendit diskuton për seancën e jashtëzakonshme

Nga Express më 07 prill 2011 në ora 13:10

(E plotësuar) Kryesia e Kuvendit të Kosovës, mblidhet sot për të shqyrtuar kërkesën për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Sipas një njoftimi të Kuvendit të Kosovës, Kryesia ka në rend të ditës dy pika - ajo e Zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Rezoluta në mbështetje të Memorandumit te Marrëveshjes në mes të Behgjet Pacolli,Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, të nënshkruar me 6 prill 2011.

Seanca për zgjedhjen e presidentit në orën 18:00

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit pritet të mbahet sot nga ora 18.00, ka bërë të ditur shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili konfirmoi se janë mbledhur edhe nënshkrimet e nevojshme për seancën e jashtëzakonshme dhe dy kandidatët për president.

Lajmin se do të ketë seancë Grabovci e bëri pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së, me ç’rast tha se përveç kandidates konsensuale Atifete Jahjaga, do të jetë edhe një tjetër kandidat i AKR-së, por nuk është bërë i ditur emri.

Në mbledhjen e Grupit parlamentar të PDK-së nuk kanë qenë të pranishëm Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, por Grabovci këtë mungesë e ka arsyetuar, duke thënë se ata kanë qenë të zënë me angazhime tjera.

Kuvendi mblidhet për të zgjedhur presidentin e ri të Kosovës, post ky që tani pritet të udhëhiqet nga një femër, për të cilën janë pajtuar dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, e po ashtu është pajtuar edhe Behgjet Pacolli, i cili udhëhoqi vendin për 35 ditë.

Jahjaga ka ardhur si propozim konsensual për presidente të vendit pas dy ditë negociatash ndërmjet kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, atij të LDK-së, Isa Mustafa dhe kreut të dorëhequr të AKR-së, Behgjet Pacolli, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›