Protestojnë në mbështetje të Blerim Kuçit
Me moton “Kryetari mbron luftën-ne mbrojmë kryetarin”, mijëra qytetarë kanë protestuar në mbështetje të vendimit të kryetarit së Suharekës Blerim Kuçi për të mos dëshmuar lidhur me krimet e luftës.
Në këtë protestë, e cila u mbajt të enjten para Kuvendit Komunal të Suharekës, morën pjesë drejtues të AAK-së, komunave Suharekë, Rahovec, Deçan dhe qytetarë të shumtë, të cilët dolën në mbështetje të kryetarit Blerim Kuçi për të mos dëshmuar lidhur me rastin Kleçka.
Qytetarëve iu kanë drejtuar në protestë me një fjalë rasti nënkryetari i Suharekës Refki Bytyqi, nënkryetari i parë i AAK-së Blerim Shala, sekretari i AAK-së Burim Ramadani, kryetari i OVL të UÇK-së, dega në Suharekë, Ali Buzhala dhe bashkëshortja e Blerim Kuçit, Ganimete Kuçi.
Para protestës është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme e Asamblesë Komunale të Suharekës, ku grupet e këshilltarëve kanë dalë në mbështetje të Blerim Kuçit.
Protesta ka kaluar e qetë dhe ka zgjatur gjysmë ore.
Kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi, është arrestuar të martën në Prishtinë, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, për shkak se ai ka refuzuar të dëshmojë për kinse krime lufte në Kosovë. Kuçi është marrë në pyetje nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ku i janë caktuar 30 ditë paraburgim. /kosovapress/