E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PD dhe mungesa e Azemit

ALFRED CAKO

Para disa ditësh ndoqëm një eveniment të historisë së Partisë Demokratike: zgjedhjen e Kryesisë së re të saj prej 25 anëtarësh. Këta u përzgjodhën nga një votim ndër 40 kandidatë të paracaktuar indirekt nga kryetari i saj, z. Berisha. Sidoqoftë, ky do të jetë formalisht ekipi politik që mund të jetë përcaktues në drejtimin e jetës politikoekonomike të vendit, ndoshta deri në pranverë të 2013-s, nëse mandati i PD-së do të shkonte normalisht dhe sdo të kishte ndonjë të papritur të pakëndshme (vetëm nëse bashkohet PS me Kuq e Zinjtë kundër formularit të regjistrimit etnik e fetar dhe në kauzën rozë pro ndryshimeve në Kushtetutë, maxhoranca mund të kalojë ndonjë tallaz të egër në vjeshtë të këtij viti). Natyrisht që të gjithë e dimë se termi ekip përcaktues ka lidhje me vendimet formale që mund dhe duhet të marrë në ndonjë moment krucial kjo kryesi, pasi thelbësori që vazhdon të përcaktojë orientimin e lëvizjes, natyrisht që është kryetari i saj, z. Berisha. Sidoqoftë, edhe pse shumica e anëtarëve të Kryesisë që kanë qenë historikisht në PD, aty duket se vazhdimisht ka një baticë-zbaticë të një nukli themeluesish ishpedagogë. Por, z. Berisha, dora-dorës duket se e uzurpoi pjesën e aksioneve të grupit të pedagogëve themelues për ti rrëmbyer pastaj gjysmat e aksioneve të kartelit blu të mbajtura nga studentët në establishmentin politik madhështor që doli nga Lëvizja e Dhjetorit. Sot duket se kjo kompani-parti ka një pronar kryesor dhe disa aksionerë të vegjël që i lëshojnë vendin njëri-tjetrit sipas trilleve të Doktorit (ish-pedagogët themelues). Gjithë të tjerët që hyjnë e dalin nuk janë gjë tjetër veçse disa administratorë të vegjël momentalë të kësaj ngrehine politiko-ekonomike të drejtuar me një gjenialitet demoniak prej Doktorit. Në librin filozofik-politik-artistik Dialog në ferr- Makiaveli kundër Monteskiesë të autorit M. Joly, Makiaveli thotë se edhe në sistemin parlamentarist të tubave dhe pistonave të Monteskiesë, princi i tij despot (kur kombet janë më të zhvilluara plutokratët), mund ti kapë dhe ti përdorë institucionet e shtetit si koperturë demokratike; për këtë duhet një levë që quhet parti. Duke marrë frenat e shtetit nëpërmjet maxhorancës parlamentare, partia-kompani menaxhon gjithë pasuritë kombëtare mbi e nëntokësore natyrore; realizon politikat fiskale e doganore si dhe menaxhon shpërndarjen e shpenzimeve të buxhetit; ruan rendin në fuqi dhe sigurinë e brendshme publike; gjithashtu, partia harton dhe realizon politikën e jashtme. Për të gjitha këto arsye ne kemi të drejtë të flasim për Kryesinë e re të PD. * * * Nëse do të shihnim pak mbrapa për ndonjë paralele historike brenda kësaj partie, natyrisht që nuk mund të mos meditonim për Kryesinë e saj të parë, e cila u krijua nga 16 veta, të ndarë në 7 studentë, 7 pedagogë dhe 2 përfaqësues të qytetarisë. Atë kohë dukej qartazi një rivalitet për supremaci të Lëvizjes së Dhjetorit nga përfaqësuesit e grupit të dytë, por edhe nga përfaqësuesi kryesor i studentëve – Azem Hajdari. Ndërsa në grupin e dytë vringëllinin armët, kryesisht kampi i të ndjerit G. Pashko kundër kampit të dominuar nga gegët (për katapultimin e tyre të rrufeshëm në vitet 80-90 duket se ishte interesuar vazhdimisht e veja e diktatorit Hoxha), që qëndronin pranë Dr. Sali Berishës. Në grupin e këtij të fundit, haptazi ose fshehurazi qëndronte si nukël një pjesë qytetarësh me të njëjtën origjinë vendlindjeje të tij, si M. Elezi, S. Buçpapaj, B. Mustafaj, Sh. Memia etj. Po kështu, paksa të ndarë, pranë këtyre dhe Azemit qëndronte i kudondodhur si engjëll mbrojtës edhe një ekip i vogël që vinte nga grupet e policisë speciale të diktaturës. Vetë Doktori kishte çarë para në karrierë me një vullnet të egër gjatë regjimit komunist dhe ai kishte dalë shpeshherë edhe jashtë shtetit për periudha të gjata dhe, me miqësitë e kontaktet e veta, kishte arritur të ishte në qendër të vëmendjes politike nga gazetarë që ishin afër shërbimeve sekrete të MI6, si N. Malkolm, në verë-vjeshtën e vitit 1989, së bashku me 2-3 personazhe të tjerë, si G. Pashko e R. Lani. Gjithë ky background, jo edhe aq shumë modest, do ta ndihmonte Doktorin të qëndronte si rrallëkush në pistën e garës për të qenë ai udhëheqësi i partisë më madhështore që kishin nxjerrë ndonjëherë shqiptarët. Sidoqoftë, duhet thënë se gegët ishin më të organizuar dhe kishin kësisoj për bajrak vetëm z. Berisha. Gjithashtu, një ndihmë jo të vogël z. Berisha e mori për tu ngritur brenda grupit të tij nga rivali i vet më i fortë i grupit tjetër, A. Hajdari. Azemi ndoshta nuk e njihte atëherë atë që në luftën 30-vjeçare të shekullit XVII u pagëzua si taktika Rishëlje ndaj Vatikanit dhe mund të jetë penduar vetmevete, shumë më pas, për gabimet e mëdha që bëri me Doktorin më 1991-shin. Gjithashtu, edhe grupi tjetër me bërthamën Pashko-Ruli-Ceka-Zogaj- Imami u përpoq të fuqizohej me mbështetjen e miqve të rrethit të tyre të brendshëm, të cilët kërkonin ti kundërviheshin dominimit të PD nga figura autoritare e z. Berisha; por ky grup ishte i përçarë, jo koheziv dhe pa ndonjë figurë dominuese, pasi kishte disa mëtonjës të fronit blu – përveç Pashkos, edhe z. Ceka, z. Imami etj. Përveç kësaj, grupi i Doktorit dinte të punonte më mirë natën në terren Por, ndërsa koracimi, për ta mbrojtur nga rreziqet, i të gjithë grupit të pedagogëve shihej si balonë shpëtimi, fizike e ekonomike, nga ana e sundimtarit të atëhershëm në fuqi, z. Ramiz Alia dhe e disa të moderuarve të tjerë pranë tij në PPSH – për shkak të dhjetëra lidhjeve që ata kishin pasur me sistemin komunist gjatë karrierës së tyre dhe për shkak se shiheshin më të pjekur për qeverisje e më të përmbajtur – grupi i studentëve shihej si një grup emocional që mund të ishte lehtësisht i manipulueshëm, me prirje anarshiste, i paparashikueshëm nga influenca e panjohur dhe e errët që mund të ushtronin imperialistët ndërkombëtarë mbi ta. Gjithsesi, ajo që vendosi të ardhmen e lidershipit të PD më periudhën 1991-1992 ishte influenca rezultante e prodhuar nga kombinimi i dy vektorëve të forcave: PPSH dhe ndërkombëtarët (si edhe fati prej disa rrethanave të krijuara nga loja e brendshme e vetë strukturave fraxhile të PD). Dhe po nga kombinimi i tre faktorëve të mësipërm (pedagogët e PD+PPSH+ndërkombëtarët influentë), duket se dora-dorës u çaktivizua dhe u dobësua roli influencues i grupit tjetër me 45% të aksioneve studentëve. Kulmi i shpartallimit të tyre duket se u arrit kur përfaqësuesi dhe figura emblematike e lëvizjes antikomuniste, studenti Azem Hajdari, u përjashtua totalisht nga ndikimi i tij në PD (1995) dhe kur ai nuk ishte ftuar në asnjë post ministror në qeveritë Meksi (92-97). Para tij ishin vrarë, larguar, kërcënuar ose burgosur studentë të tjerë me peshë si A. Broci, A. Lika, A. Bendo, Sh. Rama etj. Në Kryesinë e sotme, nga grupi i pedagogëve janë në politikën e lartë të maxhorancës, përveç z. Berisha, edhe G. Ruli, A. Imami, G. Pollo dhe në disa nivele më poshtë janë A. Demeti, N. Ceka etj., të cilët kanë ecur nëpër një lakore të historisë së PD ose të ndonjë force tjetër të përkohshme politike, lakore e cila ka qenë zgjedhur prej tyre, por edhe prej trilleve politike të z. Berisha. Sidoqoftë, për hir të së vërtetës, në shumë raste vihet re se trajtimi i kolegëve pedagogë të grupit të tij iniciues, ndër vite nga z. Berisha, ka qenë e ngjashme me një fjalë që thoshte Napoleoni për Fushenë, ministrin e tij të Policisë: Kur të tradhton Fusheja, do të thotë se e ke merituar tradhtinë. * * * Në Kryesinë e sotme bie në sy se A. Imami e G. Pollo nuk arritën dot të hynin në listën e fituesve. Nuk fitoi miku i z. Topi, kandidati G. Oketa dhe nuk u kandidua z. Mustafaj. Nuk fitoi as i vetmi kandidat i persekutuar, ish-ministri E. Alibeaj. Ndërsa z. Imami, kur kishte qenë shef kabineti i z. Berisha në mandatin e parë (2005- 2009), kishte hyrë me vështirësi në Kryesinë e vjetër. Doktori kështu duket se luan vazhdimisht me vartësit e grupit të vet të pedagogëve; ndërsa i hedh me një dorë, i pret me dorën tjetër. Duhet thënë se emrat e A. Imamit, G. Pollos, N. Cekës, P. Zogajt, N. Cekës u rehabilituan e u ri

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›