Borxhi publik që po trondit Amerikën
ADRIAN CIVICI
Mbas shumë muajsh de batesh, frike për të ardhmen dhe stabilitetin e BE-së, borxhi publik europian, kriza greke dhe dyshimet mbi rolin e qëndrueshmërinë e euros duket se kanë kaluar në plan të dytë të shqetësimeve ndërkombëtare në lidhje me pasojat negative në tregjet financiare e globale që ato mund të shkaktojnë. Që prej disa javësh, sytë e gjithë botës monetare e financiare janë drejtuar nga SHBA, ku diskutohet dhe pritet të marrë zgjidhje një nga rebuset më të vështira financiare jo vetëm për SHBA, por për mbarë botën, e ardhmja e borxhit publik në SHBA. Megjithëse për borxhin publik amerikan ka disa dekada që flitet me shqetësim për rritjen e vazhdueshme e shpesh të frikshme të tij, ditët e fundit ai përbën pa dyshim lajmin e parë për çdo gazetë e TV në çdo cep të globit. Vendimi për një marrëveshje më shumë se historike ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, ndërmjet demokratëve dhe republikanëve për tavanin e borxhit, po pritet si tymi i bardhë në Vatikanm që njofton zgjedhjen e Papës së ri. Lajmet e fundit me një optimizëm të moderuar njoftojnë për afrimin e pozicionit të palëve drejt një kompromisi të afërt. Data 2 gusht, datë përtej së cilës në qoftë se SHBA nuk gjen një zgjidhje kompromisi, mund të detyrohet për herë të parë në historinë e saj që të shpallë bllokimin e pagesave dhe detyrimeve financiare. Fenomeni që u luftua me shumë ngulm që të mos ndodhte në Greqinë modeste, e cila përfaqëson vetëm 2% të PBB europian, tashmë rrezikon të prekë vendin dhe ekonominë më të zhvilluar në botë. Përballë mungesës së deritashme të kompromisit ndërmjet të zgjedhurve demokratë e republikanë që refuzojnë reciprokisht propozimet dhe alternativat e zgjidhjes së njëritjetrit, Presidenti Obama është angazhuar intensivisht në kërkim të një zgjidhjeje të shpejtë kompromisi, që gjithsesi ka brenda saj mjaft elemente të luftës politike dhe kalendarit të zgjedhjeve legjislative e presidenciale amerikane. Ekspertët e financave e cilësojnë në mënyrë figurative këtë situatë të ngjashme me komedinë e famshme muzikore të vitit 1951 «Dancing on the ceiling» të Fred Astaire. Ashtu si balerinët që kërcenin mbi tavan, tashmë është gjithë sistemi ekonomik e financiar botëror që po mban frymën në pritje të zgjidhjes së problemit të tavanit të borxhit publik amerikan. Dollari dhe bonot e thesarit amerikan përbëjnë referencën më të rëndësishme të tregjeve financiare dhe tregtisë botërore. Këtë radhë, ndoshta më shumë se herët e tjera, shprehja e famshme e John Connally, sekretarit amerikan të thesarit e vitit 1971 se Dollari është monedha jonë, por problemi juaj, duket mjaft aktuale. Të gjithë duket se i kanë drejtuar sytë e veshët nga SHBA për të kuptuar shkallën e riskut apo perceptuar sinjale qetësie dhe garancie. FMN, nëpërmjet Christine Lagarde paralajmëron me shqetësim se një nga pasojat më të rënda të kësaj situate do të ishte një rënie e besimit tek dollari dhe zvogëlim i rolit të dollarit si monedhë rezervë vlere. Duke e vënë gishtin mbi plagë, FMN evidenton faktin se përtej shqetësimit për uljen e vlerës së dollarit amerikan përballë dy termometrave, siç quhet ari dhe franga zvicerane, më problematik paraqitet roli i tij i ardhshëm si monedhë rezervë vlere për bankat qendrore në mbarë botën, të cilat kanë mbi 60% të këtyre rezervave në dollarë, si dhe faktit se dy të tretat e tregtisë botërore bëhen në dollarë. Mjaft të shqetësuar e të çuditur me politikën amerikane duken dhe kinezët, të cilët janë zotëruesit më të mëdhenj në botë të bonove të thesarit të qeverisë amerikane. Aktualisht, Pekini ka në dorë 1160 miliardë dollarë bono thesari, ndërkohë që Banka Qendrore Kineze vetëm gjatë vitit 2010 i shtoi me 620 miliardë dollarë rezervat e saj monetare. Çdo ulje e vlerës së dollarit apo tronditje e tij do të reflektohej menjëherë negativisht edhe në Kinë, gjë që ka bërë që Kina ti ngrejë tonet duke i kërkuar SHBA që të mendojë dhe për interesat e Kinës, dhe që ekonomia botërore të mos merret peng nga interesat politikë të republikanëve apo demokratëve në SHBA. Por, çfarë po ndodh me borxhin publik amerikan dhe cilët janë skenarët e mundshëm të zgjidhjes së kësaj nyje gordiane? Aktualisht, borxhi publik amerikan ka arritur në shifrat 14300 miliardë dollarë ose afërsisht 10000 miliard euro, pothuajse i barabartë me 100% të PBB amerikan. Por, ekspertët e borxhit publik e avancojnë edhe më shumë këtë shifër, që në fakt përfaqëson borxhin total federal, duke shtuar 3000 miliardë dollarë borxh të shteteve të ndryshme, si dhe 3000 miliardë të tjerë që përbëhen nga garancitë publike për financat imobiliare. Në këtë këndvështrim, në total borxhi publik amerikan arrin në 140% të PBB(!) Shifër kjo 240% më e lartë se tavani prej 60%, që nga gjithë ekspertët financiarë fiksohet si vija e kuqe që nuk duhet kaluar. Shuma prej 14294 miliardë dollarësh ishte fiksuar nga Kongresi Amerikan si kufiri i sipërm i borxhit, por që u arrit dhe u kalua që në javët e para të muajit maj 2011. Për Presidentin Obama, problemi i borxhit të jashtëzakonshëm të SHBA është pasojë e politikave të kaluara fiskale mjaft liberale. Gjithçka duket se fillon me presidencën e Ronald Reagan-it, që premtonte një shtet minimal, që zvogëlonte taksat, por që rriste pareshtur shpenzimet. Të njëjtën linjë duket se ndoqi dhe Presidenti Xhorxh Bush, që e çoi në 82% borxhin publik në raport me PBB, ndërkohë që vetë Obama e shpjegon rritjen drastike të borxhit në mandatin e tij si nevojë për të shpëtuar Amerikën nga një recesion i fortë ekonomik. Cilët janë skenarët e mundshëm që mund të ndodhim në ditët në vazhdim? Skenari më i keq dhe më i padëshiruar, por që gjithsesi ka pak gjasa të ndodhë, është mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet palëve deri në datën 2 gusht, datë përtej së cilës Ministria e Financave dhe Thesari amerikan nuk mund të marrin më borxh në tregjet financiare për të realizuar shpenzimet e parashikuara dhe njëkohësisht nuk mund të paguajnë dot detyrimet e tyre ndaj kreditorëve në data shumë të afërta të maturitetit të bonove të thesarit dhe obligacioneve të ndryshme. Mjafton të përmendet vetëm fakti se detyrimet e këtij tipi janë rimbursimi i 30 miliardë USD në 4 gusht, 27 miliardë USD të tjerë në 11 gusht dhe 25 USD në 25 gusht. Pagat e funksionarëve federalë dhe të gjitha pagesat e tjera federale janë në rrezik bllokimi. Kjo situatë e pamundësisë së Thesarit për të respektuar angazhimet e tij, mund ti detyroje agjencitë e vlerësimit Standard & Poors, Moodys dhe Fitch ta cilësonin SHBA në situatën e pamundësisë teknike të pagesave dhe ta ulnin vlerësimin e tyre nga AAA në AA+, çka do të përbënte rastin e parë në historinë moderne të SHBA që borxhi më i sigurt i botës me rrezik zero të lëkundej në garancitë e tij. Sipas zyrës së buxhetit në Kongresin Amerikan, një gjë e tillë mund të shkaktonte një rënie të ndjeshme të bursave, ngritje të përqindjeve të interesit për kreditë dhe transaksioneve financiare, një ulje të mëtejshme të vlerës së dollarit në tregjet valutore ndërkombëtare, si dhe çrregullime të sistemit të pagesave dhe tregjeve të kredisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e ekonomisë amerikane në tregje dhe tregtinë botërore, si dhe ndërthurjen globale të tregjeve financiare, kriza mund të kishte pasoja të rënda në shumë vende të tjera të botës. Skenari i dytë, i cilësuar si skenari gri, nënkupton arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet republikanëve dhe demokratëve, vetëm në lidhje me tavanin e borxhit. Natyrisht që kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për ti shpëtuar vlerësimit negativ të agjencive vlerësuese, që gjithsesi do ta shtonin presionin për të ulur vlerësimin e cilësisë së borxhit amerikan nga AAA në AA+. Kjo do bënte që kostoja e borxhit amerikan të shtohej me 130 miliardë USD në 10 vitet e ardhshme, por nga ana tjetër do ndikonte pozitivisht për eliminimin e panikut në tregjet financiare. Zotëruesit e titujve të borxhit amerikan do ishin më të qetë për të pritur pagesën normale dhe maturitetin e bonove të thesarit që zotërojnë. Presidenti Obama ka paralajmëruar se konflikti politik mund të provokojë një ulje të vlerësimit tonë AAA, çka na lehtëson financime me norma inte