E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kryesia e PD masë ndaj Bardhit? Sekretari i Përgjithshëm dërgohet në Komisionin e Integritetit: Ka shkelur statutin

Kryesia e Partisë Demokratike vendos të dërgojë në Komisionin e Apelimit, Integritetit dhe Etikës, Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, për të vlerësuar bazueshmërinë e veprimeve të tij në raport me Statutin e PD-së. Ky komision përbëhet nga: Flutura Açka, Kryetar; Artan Murrizi, Anëtar; Marinela Ziu, Anëtar; Edlira Devolli, Anëtar; Rezart Kthupi, Anëtar. 

Por a ka marrë vendim kryesia e PD-së për masë ndaj Gazment Bardhit? Nisur nga fakti që kryesia e PD-së do ta dërgojë çështjen në Komisionin e Apelimit, Integritetit dhe Etikës, duket se kemi të bëjmë me një masë displinore ndaj tij nga ana e kryesisë së PD-së. Referuar nënit 54 të statutit të PD-së, pika 3 që lidhet me kompetencat e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës, duket se situata është e tillë pasi në të thuhet: “Kur një Kryesi vendos të marrë një sanksion kundrejt një anëtari që mban një mandat zgjedhor, ekzekutiv ose parlamentar, ai nuk mund të bëhet publik veçse nëse vendos Kryesia e PDSH-së.”

PD vlerëson se veprimet e tij janë në kundërshtim të hapur me statutin.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp PD bëri të ditur se përpjekjet e Bardhit për thirrjen e mbledhjes së atij që pretendohet se është Këshilli Kombëtar i PD-së, janë në vazhdën e veprimeve dhe akteve të kohëve të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm për mospjesëmarrje në strukturat drejtuese të partisë, për mosprotokollimin dhe moszbatimin e vendimeve të Kryesisë së PD-së, si dhe moskryerjen e detyrave funksionale.

“Në lidhje me pretendimin për një mbledhje online nuk rezulton të ekzistojë e ashtuquajtura Pika 7 e nenit 9 të Vendimit numër 2, datë 15.01.2022 “Për miratimin e Rregullores së Brendshme “për organzimin dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar” të cilës i referohet shkresa për organizmin e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar online. Neni 9 i Rregullores së sipërcituar mbyllet me pikën 6. Ky nen, është nen që rregullon proceset e votimit të Këshillit Kombëtar dhe nuk ka asnjë lidhje me mënyrën e organizimit të mbledhjeve të tij. Referimi i një pike joekzistuese të Rregullores, pikë e cila në analizë të vetë nenit, në të cilin pretendohet se bën pjesë, nuk ka asnjë lidhje organike me këtë të fundit, krijon dyshime të qenësishme.”- thuhet në njoftimin e PD-së.  

Sipas këtij njoftimi, rregullorja në fjalë është publikuar, me porosi dhe nën kujdesin e Bardhit, me datë 15 janar në faqen zyrtare të PD-së, dhe në versionin publik të saj nuk rezulton që neni 9 të ketë pikë 7.

Sipas PD-së, mbledhja e të pretenduarit Këshill Kombëtar me pjesmarrjen e anëtarëve të formacioneve të tjera politike dhe elektorale nuk është në përputhje me Statutin dhe vullnetin e strukturave dhe anëtarëve të kësaj Partie.

“Për fat të keq, të gjitha këto manovra bëhen për të fshehur qëllimin e vërtetë, dorëzimin e Partisë Demokratike te Sali Berisha, që është shërbim edhe për Ilir Metën dhe Edi Ramën. Kushdo është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij politike, por jo duke shkelur statutin dhe shkelmuar sakrificat dhe qëndresën e demokratëve.”- theksohet në njoftim.

PD, vijon deklarata, është ndarë njëherë e mirë me të shkuarën e saj të vjetër dhe demokratët janë të qartë dhe të vetëdijshëm për zgjedhjen e tyre.

“Mbetemi të bindur se riorganizimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Partisë Demokratike është frymëmarrja që i duhet demokratëve për përballjen e tyre me regjimin e Edi Ramës. Këtë të shtunë, me 29 korrik, demokratët do të zgjedhin kryetarin e tyre dhe Partia Demokratike do të nisë rrugën e riorganizimit dhe ringritjes së saj.”- përfundon njoftimi për shytyp i PD-së.

Neni 54 Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës

1. Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.

2. Komisioni shqyrton ankesat nga anëtarët e PDSH-së kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre nga secili organ i partisë, si dhe kujdeset për respektimin e rregullave të bashkëjetesës në Parti dhe normat minimale të sjelljes së anëtarëve dhe respektit ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë të partisë.

3. Gjatë shqyrtimit të ankesave kundër masave disiplinore, Komisioni siguron të drejtën e anëtarit për një proces të rregullt ligjor. Vendimi i Komisionit është i paapelueshëm. Kur një Kryesi vendos të marrë një sanksion kundrejt një anëtari që mban një mandat zgjedhor, ekzekutiv ose parlamentar, ai nuk mund të bëhet publik veçse nëse vendos Kryesia e PDSH-së. Në të gjitha rastet e tjera, Komisioni deklaron vetë publikisht vendimet që merr.

4. Komisioni me kërkesë të Kryesisë së Partisë, shprehet për mospërputhjet e vendimeve të marra nga organet qendrore, kryesitë apo anëtarët, me Statutin e Partisë, si dhe jep vlerësim mbi interpretimin përfundimtar të dispozitave të Statutit. Ai thërret për dëgjim, sipas rastit, të interesuarit.

/rtsh.al/ a.meta/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›