Kryetarët, ok komisionit për hetimin e Kuvendit
TIRANË- Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur mbrëmjen e djeshme ka miratuar në parim kërkesën e PS-së për komisionin që do të hetojë veprimtarinë e Kuvendit. Konferenca u drejtua nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe në të ishin të pranishëm përfaqësuesit e grupeve Parlamentare, nënkryetarët e Kuvendit, si dhe Kryetarë të komisioneve parlamentare.
Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve diskutoi dhe miratoi me konsensus Programin e punës së Kuvendit për periudhën 21 Mars-19 Maj si edhe miratoi Kalendarin tri javor të punimeve, nga 21 Marsi deri në 7 Prill.
Komisioni parlamentar do zhvillojë:
Hetimin e veprimtarisë së organeve drejtuese të sipërcituara, për sa u përket detyrimeve që lindin nga zbatimi i Rregullores së Kuvendit
Hetimin e veprimtarisë së administratës së shërbimeve të Kuvendit, sipas kompetencave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutivin e buxhetit
Hetimin e Byrosë dhe administratës së Kuvendit, në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës së personelit të administratës
Hetimin e procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit dhe pasojat financiare që ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit
Hetimin e funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ato kryejnë dhe shpërndarja e punës mes komisioneve, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projekt-ligjeve si dhe në emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij
Hetimi i integritetit dhe eficiencës së sistemit të votimit elektronik në Kuvend
Propozimi i ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara, duke synuar mirëfunksionimin e Kuvendit dhe shërbimeve të tij
Komisioni hetimor parlamentar përbëhet nga 11 deputetë, nga të cilët, 5 i përkasin pakicës dhe 6 shumicës parlamentare. Kryetari i komisionit i përket Partisë Socialiste
Komisioni ushtron veprimtarinë e tij brenda një periudhe 4-mujore
Ngarkohet Kryetarja e Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm të krijojnë kushtet e nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të këtij komisioni