Kryetari i PD, Lulzim Basha takon ambasadorin Arvizu: "Do zhvillojmë opozitë të fortë"
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në një takim ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Diplomati amerikan ka falenderuar PD-në për bashkëpunimin afatgjatë. Pas takimit të parë me kreun e ri të selisë blu, Lulzim Bashën, ambasadori në ikje teksa e ka uruar personalisht për detyrën, theksoi rolin e rëndësishëm që ka opozita në jetën politike në vend si përqendrimi tek qëllimi më i madh për shqiptarët pa dallime politike: integrimin. “Pasi zoti Basha u zgjodh kreu i ri i PD kam pasur mundësi të shkëmbej një informacion jo zyrtar duke e përgëzuar për detyrën dhe tani pata rastin ta takoj. Dëshiroj ta falenderoj atë dhe PD për bashkëpunimin afatgjatë dhe ky bashkëpunim të vijojë dhe më tej. Folëm për qëllimin e zjarrtë të të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike, që është shtegu Europian i Shqipërisë, shtegu euroatlantik, rruga drejt Brukselit. Folëm gjithashtu për një proces të rëndësishëm që është ai i opozitës së vendit. Ne përdorim në metaforë që është se në krye të autobusit të jenë të gjithë”, u shpreh Arvizu. Ambasadori Amerikan u ndal dhe tek çështja e selisë së re të PD-së, e cila tashmë është vendosur tek ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë. Mesazhi i SHBA për këtë cështje sipas ambasadorit, është që palët duhet t’i përmbahen ligjit me qëllim shmangien e polemikave. “Dallojmë se cështja e kësaj prone ka qenë subjekt i polemikave. SHBA nuk mbajnë qëndrim sa i përket asaj, por ajo që këshillojmë është përmbajtja e shtetit ligjor dhe objektiviteti. Ky takim ishte parashikuar më herët dhe ishte menduar te takoheshim të selinë blu, më pas u njoftuam se PD kishte lëvizur këtu dhe ishte i gatshëm të na priste këtu dhe kjo shpjegon arsyen pse ndodhemi këtu”, sqaroi Arvizu. Nga ana e tij, kreu i PD-së Lulzim Basha bëri publike faktin se në takim u shkëmbyen pikëpamje për një sërë çështjes teksa e ka siguruar ambasadorin amerikan për një opozitë të fortë, ballore në mbrojtje të interesit publik. “Sot kam pritur ne selinë e re të PD, ambasadorin Arvizu dhe bashkëpunëtoret tij. Është takimi yni parë në detyrën time si krye i PD dhe shkëmbyem pikëpamjet tona mbi një sërë cështjes, që nga procesi zgjedhor i 23 qershorit, perspektiva e PD mbi të ardhmen e vendit, dhe roli i PD si një opozitë e fortë, ballore, krijuese në mbrojtje të interesit publik”, theksoi Basha. Takimi mes Bashës dhe Arvizusë u zhvillua në ambientet e selisë së re të kësaj partie tek ish- SHQUP. Ky është takimi i parë mes tyre, që mbahet në selinë e re të kësaj partie. Ndërkohë që selia e re e PD do jetë ish-SHQUP, ajo e vjetra do t’i kalojë Bashkisë së Tiranës.
...