E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli:Rama të kërkojë ndjesë për manipulimet e qëllimshme mbi vdekjen e Trebickës. Në çdo vend demokratik të botës, një kryetar i tillë opozite do kishte dhënë dorëheqjen.

 

 
Kryetarja e Kuvendit nga Malësia e Madhe iu përgjigj  interesimit të mediave, lidhur me qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, për  aksidentin e shtetasit Kosta Trebicka :
"Më vjen keq që opozita e përjeton, si një disfatë të sajën, çdo arritje të qeverisë, dhe reformave të guximshme që ne po ndërmarrim për ndryshim.Më vjen keq për qytetarët shqiptarë, që janë aq të ekspozuar çdo orë, çdo minutë ndaj dezinformimit të pamoralshëm të këtij politikani.
 
Të mbështesësh mbijetesën tënde politike mbi frikën, pasigurinë e mbjellë ndaj njerëzve që të besojnë, është e pabesë, është pa të ardhme.
Politikë, më të vjetëruar se kjo, nuk mund të ketë. Është një trishtim që opozita e sotme duhej ta kishte lënë prapa së bashku me rënien e murit të Berlinit, murin e frikës ndaj lirisë së dinjitetit njerëzor.
 
Manipulimi i turpshëm me vdekjen aksidentale të një njeriu, të një qytetari të mirë, është shembulli më i hidhur i hipokrizisë dhe i mentalitetit të krizës.
 
E keni dëgjuar ju sesi Edi Rama  mendon që  alternativa mund të jetë gënjështra,  mashtrimi, shpifja, makabriteti, hipokrizia.
Unë nuk di një kryetar tjetër partie që të këtë si tipar të tij themelor në këtë mënyrë hipokrizinë ,e cila shkon deri në makabritet, kur flet për aksidente , duke tentuar  të kthejë  një aksident në vrasje të paramenduar.  Sa shqiptarë nuk kanë mundur të flenë të qetë atë natë për shkak të akuzave të qëllimshme, manipulatore të eksponentëve të opozitës?
Sot që ngjarja u zbardh, dikush a nuk duhet tu kishe kërkuar ndjesë?!
 
Dhe në fakt kërkimi ndjesë është vetëm një gjë minimale për një kryetar partie në çdo vend demokratik,  pasi ka manipuluar me vdekjen e një njeriu, duke nxjerrë nga goja akuza makabre, të cilat u rrëzuan nga ekspertiza shqiptaro amerikane.
 
Të mbjellësh katastrofizëm sa herë që hap gojën, nuk është alternativë qeverisëse. Të mbështesësh të ardhmen tënde mbi frikën e mbjellë me mashtrim,mbi njerëzit që të besojnë, është stalinizëm, pol potizëm, fidel kastrizëm;në Shqipëri e ka emrin Edi Rama dhe politikë më të vjetër e më të mjeruar se kjo, nuk mund të ketë.
Në çdo vend demokratik të botës, një kryetar  partie, do kishte dhënë dorëheqjen.
 
Shqiptarët e dinë që kjo lloj politike mund të prodhojë gjithçka, por jo integrim.
 
 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›