Kryetarja e Kuvendit takon Presidentin Kroat Stjepan Mesiç. Diskutohet rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe përfundimi i autostradës Trans-Adriatike.
Gjatë vizitës së saj në Kroaci, Kryetarja e Kuvendit dhe dy bashkëkryetarët e komisionit ad-hoc për NATO-n, Ferdinadt Xhaferri dhe Pandeli Majko u pritën në një takim të veçantë edhe nga Presidenti i Kroacisë, një prej politikanëve më të njohur të politikës rajonale, Stjepan Mesiç, takim që zgjati përtej kohës së parashikuar.
Duke i uruar mirëseardhjen Kryetares së Kuvendit, Presidenti Mesiç tha se kjo vizitë është një nxitje konkrete e mëtejshme e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Diplomacia tha ai ka marrë një dimension shumëplanësh ku
përfshihen të gjitha institucionet dhe diplomacia parlamentare ka
tashmë një karakter thelbësor.
Shqipëria dhe Kroacia, vijoi ai, janë orientuar qartazi drejt
NATO-s dhe BE-së dhe interesi ynë është që e gjithë Europa
Juglindore të jetë sa më shpejt pjesë e strukturave
Euro-Atlantike.
Mes dy vendeve tona tha zoti Mesiç ekziston një marrëdhënie e
shkëlqyer dhe është koha të forcojmë bashkëpunimin ekonomik.
Brenda këtij viti do të heqim edhe regjimin e vizave mes dy vendeve dhe duhet të shfrytësojmë çdo mjet komunikimi tokësor, ajror dhe detar për të afruar edhe më shumë dy popujt, por edhe për të rritur shkëmbimet tregëtare.
Ne tha Kryetarja e Kuvendit ndihemi shumë të nderuar që jemi krah Kroacisë në proceset integruese. Vetëm një muaj na ndan nga një
ngjarje e jashtëzakonshme për të dy vendet, anëtarësimi në NATO
dhe na vjen shumë mirë që Kroacia po ecën edhe drejt integrimit
në BE. Ne e shohim integrimin e Kroacisë në BE jo vetëm si një
progres tuajin, por edhe si një inkurajim për ne dhe vendet e
tjera të rajonit.
Mes vendeve tona jo vetëm nuk ekziston asnjë problem, por marrëdhëniet janë në një nivel shumë ta lartë bazuar në një raport besimi dhe miqësie të sprovuar në kohë.
Ne vlerësojmë maksimalisht tha Kryetarja e Kuvendit, rolin që ju
dhe shteti kroat ka luajtur në rajon. Lidershipi juaj në rajonin ballkanik sot dhe në të ardhmen është shumë i rëndësishëm.
Duke u ndalur në situatën në rajon, Presideti Kroat shprehu kënaqësinë që tashmë Kosova është një realitet. Ajo po ecën krah vendeve të tjera të rajonit, vijoi ai, dhe kjo rrugë është shumë e rëndësishme.
Duke u ndalur në bashkëpunimin në fushën ekonomike, Presidenti tha se nga ana e Kroacisë po punohet për përfundimin e autostradës Trans-Adriatike, që do të afrojë më shumë Europës
qendrore dhe atë Juglindore.
Aty ku kalon autostrada aty është edhe zhvillimi i vendit theksoi ai.
Presidenti kroat shprehu gatishmerinë e vendit të tij për të ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE në një kohë kur Kroacia është në fazën e negociatave për anëtarësim në BE.