Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë takon Kryetarin e Parlamentit të Polonisë. Komorovski: Një vend anëtar i NATO-s nuk mund të mos jetë anëtar i BE-së.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetari i Parlamentit të Polonisë, Bronislav Komorovski u takuan sot në Tiranë si dy homologë të dy vendeve që së shpejti do të jenë partnere në NATO.
Pas një takimi kokë më kokë, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetari i Parlamentit të Polonisë bashkë më delegacionet reciproke biseduan për një epokë të re të bashkëpupunimit dy dhe shumë palësh.
Për ne, tha zoti Komorovski, Shqipëria është një partner dinjitoz në NATO dhe një vend i mirëpritur në BE. Polonia i vlerëson lart përpjekjet kolosale të Shqipërisë dhe arritjet e suksesshme. Ne do të jemi krah jush si dy vende që kanë patur një të shkuar të përbashkët e do të kenë një të ardhme të përbashkët në NATO dhe BE.
Në kampin komunist, vijoi ai, Polonia dhe asnjë vend tjetër nuk ka vuajtur në mënyrë aq ekstreme sa Shqipëria dhe ne e njohim rrugën e vështirë që ju është dashur të përshkoni. Fatmirësiht ju arrit ta hidhni të kaluarën pas, të transformoni vendin e të rigjeni vendin tuaj dinjitoz në familjen euro-atlantike.
Polonia është thellësisht e angazhuar të forcojë kontaktet me vendet e reja anëtare të NATO-s. Ne ratifikiuam unanimisht protokollin e anëtarësimit tuaj në NATO dhe kjo mbështetje e plotë do të jetë për të gjitha instrumetat e tjerë.
Polonia është një nga vendet që i kupton më mirë se cilido tjetër përpjekjet titanike të vendit tonë, tha Kryetarja e Kuvendit. Ratifikimi i shpejtë i MSA-së, i protokollit të NATO-s, mbështetja juaj ushtarake, politike e diplomatike në Kosovë, njohja e pavarësisë së saj, janë shprehje të qarta të përkrahjes së vendit tuaj për kombin tonë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Këtë mbështetje, vojoi ajo, ne do ta kërkonim nga vendi juaj edhe për liberalizimin e vizave. Shqipëria, nga një vend totalisht i izoluar ku nuk ekzisonte as prona, as feja, ku mbizotëronte frika, përndjekja e terrori, arriti në 18 vjet përmes përpjekjeve të jashtëzakonshme të ndryshojë imazh. Shqipëria është një vend i sigurt, shqiptarët do të kënë Kartat e tyre të Identitetit dhe pasaportat biometrike. Shqiptarët meritojnë të lëvizin të lirë.
Heqja e regjimit të vizave, ky prioritet i politikës dhe i qytetarëve shqiptarë gjeti mbështetjen e plotë të Kryetarit të parlamentit Polak.
Biseda u ndal më tej edhe në bashkëpunimin ekonomik, ku zoti Komorovski vlerësoi reformat fiskale, të cilat jo vetëm forcuan ekonominë por e shpëtuan Shqiprinë nga prekja e drejtpërdrejtë e krizës globale.
Më tej, Kryetarja e Kuvendit e njohu shkurtimisht zotin Komorovski me procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme, me modernizimin e infrastrukturës zgjedhore, regjistrin elektronik të zgjedhësve, paisjen e qytetarëve me karta identiteti dhe me angazhimin maksimal për realizimin e zgjedhjeve më të lira e të ndershme që Shqipëria ka patur.
Duke shprehur mirëkuptimin e tij për axhendën e ngjeshur në këtë periudhë parazdhedhore, zoti Komorovski ftoi Kryetaren e Kuvendit në një vizitë zyrtare në Poloni përpara ose edhe pas zgjedhjeve të Qershorit.