Kryetarja e Kuvendit zgjidhet zëvendës Presidente e Unionit Ndërparlamentar Botëror (IPU) ndër 155 Kryetarë të parlamenteve të të gjithë vendeve të Botës.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli është zgjedhur zëvendës Presidente e Unionit Ndërparlamentar Botëror (IPU). Ajo është përzgjedhur ndër 155 Kryetarë të parlamenteve të të gjithë vendeve të Botës, anëtarë të IPU-së.
IPU-ja është një ndër organizmat më të rëndësishëm të politikës botërore, i cili ka në fokus dialogun ndërparlamenar dhe bashkërendimin e axhendave në përballimin e sfidave me interes global, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në cilësinë e zëvendës Presidentes, zonja Jozefina Topalli është e ftuar nga Presidenti i IPU-së, Dr. Theo-Ben Gurirab, në Konferencën e tretë botërore të Kryetarëve të Parlamenteve, një samit global i fokusuar në rolin thelbësor të institucioneve legjislative në politikën botërore dhe marrëdhënien e tyre me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ky takim i nivelit të lartë do të mbahet në qendrën e IPU-së, në zyrat e Kombeve të Bashkuara të njohur si Pallati i Kombeve, në Genevë, më 19-21 korrik 2010.
Tema qendrore e këtij evenimenti unik, me një rëndësi të madhe politike, është Parlamentet në një kohë krize botërore; sigurimi i një demokracie globale për të mirën e përbashkët, ku Kryetarja e Kuvendit do të mbajë edhe një fjalim mbi: Forcimin e besueshmërisë politike mes parlamentit dhe qytetarëve.
Përpara kësaj Konference, Kryetarja e Kuvendit është e ftuar të marrë pjesë edhe në Konferencën e gjashtë vjetore të grave Kryeparlamentare që do të mbahet në Bern, në datat 16-17 korrik 2010. Kjo konferencë do të organizohet nën kujdesin e Presidentit të IPU dhe Parlamentit të Zvicrës.
Ky takim do të fokusohet, jo vetëm në sfidat për arritjen e barazisë gjinore , por në veçanti në arritjen e Objektivave të Mijëvjeçarit për kujdesin ndaj foshnjave dhe nënave. Konferenca do të kontribuojë edhe në përgatitjet e takimit mbi rishikimn e Objektivave të Mijëvjeçarit, që do të mbahet në shtator në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.