Kryhet fluturimi i parë certifikues në aeroportin e Vlorës, Rama ndan pamjet

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Avioni i parë preku sot pistën e aeroportit më të ri, Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Kryeministri Edi Rama, ndau pamje të këtij momenti, që shënon hapjen e një kapitulli të ri për turizmin dhe ekonominë.
“Avioni i parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, që sot ka nisur testimet për certifikatat europiane të operimit”, u shpreh Rama.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) do të jetë porta e hyrjes në jugun e Shqipërisë.
Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë jugun e Shqipërisë në një destinacion turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur në më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.
Me veprimtarinë e Aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë.
/r.e/a.f/