E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Më 11 maj firmosim një kapitull të ri në historinë e Shkodrës dhe Shqipërisë

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës të fushatës elektorale të koalicionit PD-ASHM në Shkodër.

Në fjalën e tij Berisha tha se, “më pak se tri ditë na ndajnë nga një ditë e madhe, nga një ditë që ndan historinë tonë. Nga një ditë, në të cilën Shkodra, qytetarët e saj, do të jenë në orën më të bukur të jetës së tyre. Do të jenë në orën e lirisë së tyre, në orën e dinjitetit të tyre, në orën e fitores së tyre”.

Ai shprehu bindjen se “11 maji është para së gjithash dita e shpirtit liridashës të këtij qyteti të mrekullueshëm. Është dita në të cilën shkodranët, që kanë ruajtur më shumë se kushdo tjetër, idealin e lirisë, që kanë ruajtur dinjitetin e tyre në kohërat më të vështira, më 11 maj do firmosin një kapitull të ri në historinë e Shkodrës dhe Shqipërisë”.

Sipas tij, më 11 maj qytetarët do të ndahen me një diktaturë, të cilën Evropa në shekuj dhe mijëvjeçarë nuk e ka njohur.

“Evropa ka njohur të gjitha llojet e diktaturave, por jo kurrë narkodiktaturën. Narkodiktatura e vendosur këto 12 vite ishte formë mizore, e pashpresë, formë e egër si çdo diktaturë tjetër, por kjo zbrazi, boshatisi Shkodrën dhe Shqipërinë më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo mynxyrë, më shumë se çdo epidemi. Kjo diktaturë, njëlloj si ajo tjetra që kaluam, votën tuaj, vullnetin e njerëzve të lirë, e dhunoi dhe e dominoi me krimin, me drogën, me paratë e helmit. Kjo diktaturë për 12 vite me radhë bëri pensionistët shqiptarë të vuajnë çdo vit e më shumë. Rrogëtarët shqiptarë të vuajnë çdo vit e më shumë. Kjo diktaturë bëri që mijëra ndërmarrje të falimentojnë, mijëra ferma të falimentojnë. Bëri që sofra të mos ketë më pjata për të gjithë anëtarët e shtëpisë dhe që të detyrohen prindërit, gjyshërit t’u thonë të rinjve: shkoni, merrni rrugët e botës, paçi fatin tuaj”, theksoi Berisha.

Kreu i PD theksoi se, “sot ne jemi kombi me lindshmërinë më të ulët në botë. Sot për shkak të emigracionit ne jemi vendi me lindshmërinë më të ulët në botë sepse në 10 vite përzuri nga Shkodra dhe Shqipëria 620 mijë të rinj. Një shtëpi pa djep, edhe e florinjtë po të jetë, është një shtëpi që mbyllet, një shtëpi pa zot, një shtëpi muze dhe asgjë më shumë”.

“Qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, historia na mëson se kombet edhe të fuqishme, se shtete edhe të fuqishme, edhe perandori të fuqishme janë zhdukur. Ndaj dhe sot jemi para kësaj përgjegjësie të madhe, do të lëmë ne këtë komb të rrokulliset në greminën e historisë apo do t’i dalim zot? Kurrën e kurrës nuk mund ta lëmë farën tonë të shuhet. Fara jonë nuk shuhet kurrë”, tha më tej Berisha.

“A është 11 maji pra një votë për të ndalur këtë rrokullisje të madhe? A është 11 maji një votë për një epokë të re për Shqipërinë?”, shtoi Berisha.

“Çfarë kanë që ikin e ikin shkodranët? Ikin e ikin sepse kemi një regjim të pashpirt, sepse ky regjim pensionistët, që kishin një pension prej 142 mijë lekë në vitin 2013, por që ishte pensioni më i lartë në rajon, i la sot të fundit në rajon dhe malazezi që merrte 138 mijë lekë, merr sot 450 mijë lekë; sepse rumuni që merrte 164 euro rrogën minimale në kohën kur shqiptari e kishte 220 euro, sot merr 800 euro”, tha Berisha.

Sepse shtoi ai, “çdo qeveri, taksat që u merr qytetarëve, në radhë të parë ua kthen qytetarëve. Ua kthen në pensione, ua kthen në rroga, ilaçe, shkolla, asfaltime, ujësjellës, kanalizime. Ku janë?”.

Berisha nënvizoi se, “duhet ta dijë çdo shqiptar se nëse pensionet mbetën ato dhe në Mal të Zi u trefishuan, këtu paratë e pensioneve u vunë në rrugë për t’u vjedhur”.

1 nga 12

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›