Ksamili, Dhërmiu, Velipoja administrim nga bashkitë, Rama: Investuesit duhet të bëjnë plan biznesi

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se menaxhimi i hapësirave turistike duhet të jetë i organizuar dhe profesional, duke theksuar se investitorët nuk mund të veprojnë pa plan biznesi dhe pa respektuar rregullat e tregut.
Gjatë një interviste në media, Rama u ndal veçanërisht tek problematika e plazheve dhe çmimeve të shërbimeve në zonat turistike si Ksamil, Dhërmi apo Velipojë.
“Do të doja që këta njerëz, shumë punëtorë, kurajozë, që kanë marrë risqe dhe kanë investuar para, të kuptojnë se duhet të bëjnë një plan biznesi të mirëfilltë. Ky hotel duhet të mbijetojë në konkurrencë, jo vetëm të ekzistojë për një sezon”, tha ai.
Kryeministri e quajti “çmenduri” historinë e çmimeve të shezllonëve në disa plazhe, duke veçuar rastin e Ksamilit.
“Plazhi i Ksamilit është i vogël, nuk ka kapacitet për të përballuar fluksin që ka sot. Vitin e ardhshëm, menaxhimi i tij do të bëhet nga bashkia në bashkëpunim me një strukturë të re që do të krijojmë”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se njësoj do të ndodhë edhe me Dhërmiun dhe me plazhin e Vlorës, të cilat do të menaxhohen në mënyrë të kontrolluar.
Sa i përket Velipojës, Kryeministri tha se do të merren masa që segmente të caktuara të mos merren më në mënyrë të pakontrolluar.
“Nuk mund të pengohet zhvillimi i zonave si Ksamili nga ata që nuk e dinë çfarë duan, vendosin çmime si në Maldive, ndërsa shërbimet i bëjnë në mënyrë amatore”, u shpreh ai.
Rama theksoi se duhet kuptuar që çmimet e larta pa justifikim, në mungesë të shërbimit cilësor, po i largojnë turistët dhe po ndikojnë negativisht edhe në perceptimin e përgjithshëm për Shqipërinë si destinacion turistik.
“Kush humbet, humbasin fëmijët e tyre. Shqiptarët nuk shkojnë më atje, dhe turistët do të spostohen. Do të bëhet Sazani, Zvërneci, Porti i Durrësit”, tha Kryeministri. /j.p/