Ksenofon Krisafi: Jo pakt detar me Greqinë, pa ligjin për kufirin

Ksenofon Krisafi
Luis Tanushi
Ish drejtuesi i grupin shqiptar në bisedimet për ndarjen e vijës detare me Italinë, Ksenofon Krisafi, shprehet pro rifillimit të negociatave për ndarjen e kufirit detar ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë. Por, eksperti i së drejtës ndërkombëtare i kushtëzon negociatat me ndryshimin e ekipit negociator që ka qenë pjesë e Paktit Detar të vitit 2009. Marrëveshja e re duhet të fillojë pa marrë parasysh marrëveshjen e komisionit te mëparshëm, tha Ksenofon Krisafi. Juristi i njohur i tërheq vëmendjen qeverisë shqiptare duke i kërkuar një kujdes më të madh për të mos ia falur territoret shqiptare palës greke. Sipas tij, gjatë negociatave duhen respektuar disa parime si: barazia e shteteve, interesi i ndërsjellë, transparenca, respektimi i tërësisë territoriale dhe përjashtimi i presioneve, mashtrimeve apo kërcënimeve. Juristi Krisafi thekson se partnerët duhet të ndërgjegjësohen se Shqipëria është një shtet sovran dhe i barabartë që duhet respektuar me tërë dinjitetin që buron nga parimet e barazisë. “Negociatat nuk mund të fillojnë mbi bazën e kësaj marrëveshje me mendimin që mund ti bëjmë ca arnime. Jo, negociatat do të fillojnë me një dokument të ri të hartuar nga e para. Duhet që negociatat të fillojnë nga një ekip tjetër negociator. Anëtarët e përbërjes së mëparshme treguan paaftësi dhe mungesë principialiteti, madje sipas mendimit tim, shpërdoruan detyrën zyrtare. Qeveria dhe politika të mundohen ti qëndrojnë larg procesit të negociatave dhe marrëveshjes”, deklaroi Ksenofon Krisafi. Për ekspertin shqiptar, rifillimi i negociatave me Greqinë duhet të paraprihet fillimisht nga plotësimi i boshllëqeve të legjislacionit shqiptar si pasojë e shfuqizimit të ligjit për kufijtë në vitin 2008 nga qeveria shqiptare, vetëm pak muaj para se të fillonin negociatat zyrtare me Greqinë. Negociatat nuk duhen të rifillojnë pa restauruar situatën juridike ligjore të mëparshme. Kufijtë e Shqipërisë ishin përcaktuar për herë të fundit në vitet 2001-2002. Në këto dy akte ishte përcaktuar vija e kufirit dhe si do fillonin të mateshin kufijtë detarë. Ligji i vitit 2008 abrogon totalisht këto dy akte të vitit 2001 dhe e lë Shqipërinë pa një akt ligjor që të garantojë në mënyrë ligjore kufijtë e vendit. Ky vakum ndoshta është edhe një ndër shkaqet që u prodhua kjo marrëveshje e cila u bë e atakueshme për legjitimitetin e saj, u shpreh Krisafi. Në kumtesën e tij para disa prej akademikëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, për çështjet e kufirit, Krisafi i bëri thirrje qeverisë dhe politikës shqiptare që të qëndrojë larg negociatave për tia lënë në dorë grupit të ekspertëve që do të caktohen për të marrë pjesë në negociatat me Greqinë për përcaktimin e kufijve detarë jugorë. Do të ishte mirë që qeveria dhe politika të mundohen të qëndrojnë larg procesit të negociatave dhe marrëveshjeve, natyrisht pa hequr dorë nga përmbushja e detyrimeve të tyre ligjore. Arsyeja, sipas mendimit tim, është që me ndërhyrjen ekstra-profesionale, ato e futën procesin në një rrugë pa krye. Qëndrimi i distancuar i qeverisë bëhet i domosdoshëm edhe sepse megjithëse u pa qartë që marrëveshja kishte cenuar rëndë tërësinë territoriale të vendit dhe interesat politike, ushtarake, të sigurisë kombëtare dhe ato ekonomike, nga instanca të ndryshme qeveritare vazhdoheshin të bëheshin deklarata në favor të qëndrimeve greke, theksoi Ksenofon Krisafi, ish drejtues i grupit shqiptar në bisedimet për ndarjen e vijës detare me Italinë.
Eksperti
Ksenofon Krisafi ka qenë kryetar i delegacionit shqiptar në bisedimet me palën italiane për ndarjen e Shelfit Kontinental midis dy vendeve. Ai është specialist i së drejtës ndërkombëtare. Juristi Krisafi ka qenë edhe një nga pjesëtarët kryesorë të grupit të ngushtë të punës, që ndërmorën 10 vjet bisedime me palën britanike, për kthimin e 1574 kg ar, të depozituar atje pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e njihte thellë atë problem dhe dha një ndihmesë të veçantë.
Marrëveshja me Italinë
Shqipëria dhe Italia e kanë nënshkruar marrëveshjen për ndarjen e Shelfit Kontinental në vitin 1992. Baza juridike në të drejtën ndërkombëtare për përcaktimin e Shelfit Kontinental gjendet në Konventën për të Drejtën e Detit (e njohur ndryshe si Konventa e Montego Bay” sipas emrit të vendit ku u përfundua në vitin 1982), e cila ka hyrë në fuqi më 16 nëntor 1994.
Shfuqizimi
Ligjet e hartuara për kufijtë, përkatësisht në vitet 1970, 1976 dhe 1980 janë shfuqizuar në vitin 2001. Në ligjin e këtij viti janë përcaktuar kufijtë tokësorë dhe detarë të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë në vitin 2008 qeveria ka miratuar një ligj tjetër për menaxhimin e kufijve duke shfuqizuar të gjitha ligjet paraardhëse. Tashmë i vetmi vend ku janë përcaktuar kufijtë e shtetit tonë janë arkivat ndërkombëtare dhe ligjet e shteteve fqinje.
Myslim Pashaj
Mesi i kanalit të Korfuzit është vija e vërtetë ndarëse detare dhe shkelja e saj është cenim i hapur i integritetit territorial të Shqipërisë. Kjo situatë vjen pikërisht nga fshirja e ligjeve të brendshme për territorin, fakt i cili e ka lënë këtë hapësirë të pambrojtur dhe të pamenaxhuar, e për rrjedhoje po krijohen situata delikate dhe të dëmshme në kurriz të shqiptarëve.
Çfarë duhet bërë?
- Trojet shqiptare janë penguar gjithë kohës. Shqipëria e sotme nuk është aq e pasur në territore sa të tregohet bujare dhe tu dhurojë të tjerëve tokat e veta.
- Duhet të zhvillohen negociata dhe tu kërkohet partnerëve që të sillen sipas parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare duke respektuar ato parime që janë: barazia e shteteve, interesi i ndërsjellë, transparenca, respektimi i tërësisë territoriale.
- Vetë politika shqiptare lypset që të standardizojë dhe të forcojë demokracinë në vend, duke u ngritur në nivelin e politikave moderne për të garantuar paprekshmërinë e territorit shqiptar.
- Negociatat duhet të fillojnë mbi një dokument të ri të hartuar nga e para.
- Negociatat të zhvillohen nga një ekip tjetër negociator. Pra, delegacioni shqiptar do të ishte mirë të rikompozohej se rezulton që anëtarët e përbërjes së mëparshme treguan paaftësi.
- Do të ishte mirë që qeveria dhe politika të mundohen të qëndrojnë larg procesit të negociatave dhe marrëveshjeve.
- Negociata nuk duhet të rifillojnë pa restauruar situatën juridike ligjore të mëparshme.