E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthehen 180 turistët, pranga pronares së Pasha Holiday

Spoti i agjencisë për udhëtimet në Sharm El Sheik të Egjiptit

Arrestohet me akuzën e mashtrimit pronarja e agjencisë së udhëtimeve Pasha Holiday, pas ngjarjes së ndodhur me 188 turistët shqiptarë që u bllokuan për disa ditë në Sharm El Sheik të Egjiptit. Policia e Tiranës njoftoi dje arrestimin e shtetases Marselinda Shaqir Kortoci, 27 vjeçe, banuese në Tiranë, me arsim të lartë, e padënuar. Prangosja e saj është bërë nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Policisë e kryeqytetit, në cilësinë e pronares së agjencisë turistike Pasha Holiday. Sipas Policisë, arrestimi ka ndodhur për arsye se kjo shtetase dyshohet se u ka marrë personave të ndryshëm shuma të konsiderueshme për ti çuar për pushime verore në Sharm El Sheik Egjipt, ndërkohë që këta shtetas nuk janë nisur për pushime, pasi kjo agjenci pretendon se ka falimentuar. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se kjo shtetase, nëpërmjet agjencisë së saj, ka nisur më datë 02 gusht 2012 edhe 188 shtetas shqiptarë të tjerë për pushime verore në Sharm El Sheik Egjipt kundrejt pagesave të ndryshme që variojnë nga 316 deri 600 euro, për të cilët ka rezultuar se pagesa ishte bërë nga ana e agjencisë vetëm për 3 ditët e para. Për 10 ditët e tjera të qëndrimit dhe për kthimin në Shqipëri të këtyre personave nuk është bërë pagesa e nevojshme nga ana e kësaj agjencie, tha Policia. Sipas saj, në kushtet kur kanë mësuar anomalinë pas 2-3 ditësh qëndrimi në Egjipt, turistët janë detyruar dhe i kanë bërë vetë pagesat për kthimin në Shqipëri kundrejt shumës prej 250 eurosh për person te kompania ajrore Belle Air, e cila ka bërë të mundur kthimin e turistëve. Pas arrestimit të shtetases 27- vjeçare, Policia tha se materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të saj iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të mashtrimit, fshehjes të të ardhurave dhe fshehjes së gjendjes së falimentimit.

SKANDALI

Të ndodhur larg Shqipërisë dhe pa asnjë mundësi për të zgjidhur situatën e tyre, 188 turistët shqiptarë të mbetur në Sharm El Sheik dhanë alarmin katër ditë më parë me anë të telefonatave në televizionin informativ News 24. Me anë të disa telefonatave, intervistave dhe njoftimeve, ata treguan se pas 2-3 ditësh qëndrimi në Egjipt, hotelet u kishin thënë se shërbimi për më tej nuk ishte paguar. Pasi kanë mbetur pa strehim dhe pa ushqim, turistët shqiptarë kanë qenë në vështirësi edhe për tu kthyer në Shqipëri, pasi një pjesë e tyre nuk kishin marrë me vete shumat e nevojshme monetare, sepse pagesat për shpenzimet kryesore të pushimeve ishin kryer në momentin e prenotimit te zyrat e agjencisë Pasha Holiday në Rrugën e Durrësit në Tiranë. Pasi dhanë alarmin në News 24, turistët kërkuan ndihmë për kthimin në Shqipëri, duke theksuar se bëhej fjalë për rreth 40 familje dhe disa prej tyre ishin në gjendje jo të mirë ekonomike për të përballuar situatën ku ndodheshin. Në këtë situatë, reagoi kompania ajrore Belle Air, e cila filloi procedurat e përgatitjes së një fluturimi drejt Egjiptit për kthimin e turistëve në atdhe, ndërsa çështja u ndoq edhe nga Ministria e Jashtme, e cila hyri në kontakt me Ambasadën e Shqipërisë në Egjipt dhe me autoritetet e atjeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›