E Shtunë, 31 Tetor 2026

U mbyllin galerinë, minatorët në protestë

Minatoret e Bulqizes

Rojet e sigurisë së objekteve nuk lejuan dje të futen në frontet e tyre të punës 66 minatorë të zonës D në minierën e Bulqizës. Minatorët protestuan ndaj këtij vendimi sipas tyre të ACR-së, me pretendimin se firma turke nënkontraktore ka akuzuar dhe shkelur afatet e nënshkrimit të marrëveshjes.

Sipas minatorëve, drejtori i ACR-së për minierën e Bulqizës, Medat Zogu, ka urdhëruar rojet e sigurisë për të mos lejuar asnjë prej tyre të nisë punën. Rreth orës 07:00 konstatuam se numri i rojeve të sigurisë së objekteve në zonën D ishte dyfishuar. Menduam se diçka kishte ndodhur, por nuk e dinim të vërtetën. Kur u përgatitëm të futemi në galeri, ata na penguan. Ata u shprehën se kanë marrë urdhër nga zyrtarët e ACRsë për të mos lejuar asnjë minator të nisë punën në minierë, pasi ACR nuk e njeh firmën nënkontraktore, u shpreh kryetari i këshillit sindikal të minatorëve të zonës D, Agron Basha. Sipas tij, minatorët nuk kanë bërë rezistencë dhe janë përpjekur të kontaktojnë me drejtuesit e firmës turke që ka nënshkruar kontratën si nënkontraktore me ACR-në, kontratë kjo sipas tyre e njohur edhe nga Ministria e Ekonomisë. Po ashtu minatorët e kësaj zone kanë kërkuar ndihmën e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, duke pretenduar se çështja nuk është kaq e thjeshtë sa thuhet. Ata aluduan se vendimi ishte marrë pasi firma nënkontraktore e ACR-së nuk kishte lejuar subjektet e palicencuara për të zhvilluar aktivitet të paligjshëm në këto galeri. Firma nënkontraktore turke tentoi ti bllokonte firmat pirate të hynin në territorin e ACR-së, mirëpo kjo dëmtoi disa interesa të personave që kanë nisur të shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme galeritë e kromit, u shpreh më tej Basha. Ai paralajmëroi se 66 minatorët që nuk u lejuan të futen në frontin e punës, do të nisin një grevë urie pa afat, pasi po luhet me djersën dhe mundin e tyre. Puna në minierën e zonës D nuk është ndërprerë për shkak të gjendjes teknike të saj, por është ACR-ja që është tërhequr nga dhënia e kësaj zone firmës nënkontraktore, megjithëse dokumentet faktojnë se marrëveshja e njohur dhe nga METE ishte për 5 vjet, thanë minatorët. Sipas tyre, në galerinë D janë plotësuar kushtet për të rinisur punën dhe i kërkojnë ACR-së ti lejojë të kthehen në këtë galeri. Ata pohuan se firma turke ka përfunduar rikonstruksionin e galerive, ndërsa i kujtojnë ACR-së se ata janë punëtorë me kontrata të rregullta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›