E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthesë politike në Kolumbi, konservatori Abelardo de la Espriella fiton zgjedhjet presidenciale, Iván Cepeda pranon humbjen

Kolumbia ka votuar pro një ndryshimi radikal në udhëheqjen e saj politike, duke zgjedhur si president biznesmenin dhe avokatin konservator Abelardo de la Espriella. Ky zhvillim shënon një sprapsje të fortë për të majtën në pushtet, teksa kandidati progresiv Iván Cepeda pranoi publikisht humbjen të mërkurën, pas përfundimit të procedurave të rinumërimit të votave.

Rezultatet zyrtare treguan se De la Espriella, një figurë e jashtme pa përvojë të mëparshme në poste zyrtare, korri një fitore të ngushtë me një diferencë prej vetëm 1 pikë përqindjeje, që përkthehet në rreth 251,000 vota më shumë se rivali i tij.

“Ne marrim përsipër me qetësi, përgjegjësi dhe vendosmëri absolute rolin që kërkojnë rrethanat prej nesh. Ne do të ushtrojmë një opozitë demokratike, vigjilente dhe konstruktive”, deklaroi Cepeda gjatë një fjalimi drejtuar kombit, duke i dhënë fund ngërçit disaditor pas mbylljes së kutive të votimit.

Goditje për trashëgiminë e Gustavo Petro-s

Ky rezultat elektoral konsiderohet gjerësisht nga analistët si një ndëshkim me votë ndaj qeverisë aktuale të Presidentit në largim, Gustavo Petro. Iván Cepeda kishte ndërtuar fushatën e tij mbi premtimin për të vazhduar reformat e Petro-s, përfshirë këtu strategjinë e debatueshme të “paqes totale” — një përpjekje e konsideruar kryesisht e dështuar për të arritur marrëveshje përmes dialogut me grupe të ndryshme të armatosura kriminale dhe guerile në vend.

Mosbesimi i votuesve ndaj këtij plani dhe frika nga një rikthim i dhunës në shkallë të gjerë rezultuan vendimtare në kutitë e votimit, duke bërë që autoritetet zgjedhore të konfirmonin fitoren e konservatorëve, megjithëse Petro dhe Cepeda fillimisht refuzuan të pranonin projeksionet e para të natës së zgjedhjeve.

Modeli “Bukele” dhe ndikimi i Uashingtonit

Abelardo de la Espriella, 47 vjeç, i cili gëzon shtetësi të dyfishtë (kolumbiane dhe amerikane) dhe është anëtar i Partisë Republikane në SHBA, siguroi një mbështetje të fuqishme publike nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Fitorja e tij e rreshton Kolumbinë në valën e vendeve që po përzgjedhin udhëheqës jashtë sistemit tradicional për të adresuar krizat e thella të sigurisë dhe ekonomisë.

Gjatë fushatës, i vetëquajturi përfaqësues i “të paparës më parë” dhe i njohur ndryshe me nofkën “Tigri”, premtoi një dorë të hekurt ndaj krimit të organizuar, duke u frymëzuar hapur nga politikat e Presidentit të Salvadorit, Nayib Bukele.

“De la Espriella premtoi se do të ndiqte një qasje të ashpër në luftën kundër krimit të dhunshëm me strategji të huazuara nga libri i strategjisë së Presidentit të Salvadorit, Nayib Bukele, duke përfshirë ndërtimin e mega-burgjeve”, bëhet me dije nga të dhënat e siguruara mbi platformën e tij elektorale.

Megjithëse këto taktika të stilit salvadorian kanë shënuar rënie drastike të vrasjeve në Amerikën Qendrore, ato mbeten kontreverse dhe kanë ngritur shqetësime të shumta tek organizatat ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut. Mandati i ri katërvjeçar i De la Espriella-s do të nisë zyrtarisht më 7 gusht, periudhë kur pritet të rishikohen edhe marrëdhëniet gjeopolitike të Bogotasë me Uashingtonin dhe rajonin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›