Kthimi i peshkatarëve
Pas dy librave me poezi dhe një me publicistikë, shkrimtari Bislim Ahmetaj paraqitet para lexuesit me përmbledhjen me tregime “Kthimi i peshkatarëve”.
Në tregimet e këtij libri kemi të bëjmë me një rrëfim ku aktivizohen elementë të shumtë si prishja e linearitetit, dialogu natyral, e papritura befasuese, loja rrëfimore me gjuhën, përqendrimi dhe shpërqendrimi, njëkohësisht tek ajo që rrëfehet etj. Lehtas konstatohet se autori depërton në psikikën e njeriut të zakonshëm, në ato gjëra që shpesh nuk vihen re. Kjo rrjedh në ndjesinë që ka autori po të perifrazonim Amos Oz, “në mundësinë për të dashur, e për të vlerësuar gjërat e vogla”. Sendërtimi i trillit artistik i jep mundësinë lexuesit të shijojë tek përmbledhja me tregime “Kthimi i peshkatarëve” një rrëfim, dhe jo një kopje të realitetit, një realitet artistik të rikrijuar. Në këtë mjedis rrëfimor estetizimi social dhe historik realizohet në përputhje të plotë me natyrën e përgjithshme të vetë rrëfimit. Përmbledhja me tregime përfiton ndjesinë dhe sigurinë se gjithçka rrjedh për shkak të natyralizmit të rrëfimit, një segment prej të cilit vuan përgjithësisht proza e sotme shqiptare, por proza e autorit Bislim Ahmetaj bëhet grishëse për lexuesin.
Peshkatarë që jetojnë mes tokës dhe detit, as këtej, e as matanë kufirit, qytete në ankth, zyrtarë gogolianë me një çelës WC-je në xhep, gazeta me portrete udhëheqësish të përdorur si letra higjienike, ëndrra fëminore të rrezikshme për pushtetin, një i ri në shkretëtirën e të shtunave të tij, emigrantët dhe peripecitë e tyre tragjikomike, dorëshkrime të humbura, në kërkim të të cilave autori gjen në fakt vetveten, një sagë familjare që përbëjnë materien e këtij libri. Shkrimi i druajtur, metaforat e platinta aty-këtu të kujtojnë se kalimi nga poezia në prozë po ndodh natyrshëm edhe tek shkrimtari Bislim Ahmetaj. Një libër që lexohet me shumë ëndje.