Ku
• Martin LekaKu humbi? Pse po hesht Fatos Nano? Pse nuk lëviz “lëvizja”? Këto pyetje i ndesh rëndom në ambiente politike e publike. Ka nga ata (sidomos ata më sensibël e militantë) që përgjigjen e gjejnë në mënyrë të shkurtër apo si i thonë, e kanë majë të gjuhës: “kështu e ka ai, i le gjithnjë punët në mes, jemi mësuar me të!...”. Por më të vëmendshmit e më të ndjeshmit ndaj politikës, kanë të tjera interpretime e të tjera këndvështrime Edhe pse në mënyrë hipotetike, kjo heshtje e ish-liderit socialist dhe ish-kryeministër, nuk duhet të konsiderohet thjesht dhe shkurt me frazën klishe si “dembelizëm” i Nanos. Dalja e ish-liderit historik të Partisë Socialiste me një grup mbështetësish brenda partisë dhe Parlamentit si një oponencë e hapur ndaj lidershipit udhëheqës të PS-së u shoqërua shpejt me reagime të dyanshme. E ashtuquajtura “Lëvizja Nano” ishte diku hapur, diku e fshehtë, gjithnjë e pranishme, pavarësisht përmasave të saj, që është herët të mund të “monitorohen” me saktësi. Turi i Nanos në disa rrethe të vendit ngjalli interes dhe reagim, qoftë brenda ambientit socialist, qoftë edhe jashtë këtij “populli”. Sepse për shkaqe të ditura e të pranueshme si ish-kryetar i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër, Nano dhe mbështetësit e vet e kishin të gatshme “infrastrukturën” e domosdoshme njerëzore, sidomos në bazë, aty ku mbështetësit nuk kanë pse fshihen, siç mund të ndodhë rëndom në Tiranë, për shembull, ku përkrahësit në poste udhëheqëse të partisë apo deputetë vazhdojnë të kenë kompleksin e humbjes në rast shfaqjeje publike. Të parët që u “trembën” nga këto zhvillime me përmasa që po merrte “Lëvizja Nano” ishin grupi e grupet e konsoliduar rreth kryetarit socialist Rama. Nuk munguan reagimet, akuzat dhe sulmet ndaj “Lëvizjes Nano”, duke e konsideruar atë si “minim” të interesave të socialistëve, si “lëvizje për interesa të pushtetit të Berishës”, si “lëvizje e politikës së vjetër”, etj, etj. Nano dhe eksponentë të tjerë të lëvizjes si Petro Koçi etj., akuzuan dhe akuzojnë lidershipin e Partisë Socialiste për shkelje të rregullave e ligjeve statuore socialiste, duke e akuzuar “ekskluzivisht” Ramën si “diktator” të partisë dhe si menaxheri më i keq i një force politike, i kundërt me atë të bashkisë së kryeqytetit. Rama dhe të tijtë u “kujdesën” ta kursenin Nanon e lëvizjen e tij, duke e akuzuar si lëvizje egoiste, si shkak i mospërmbushjes së aspiratës së Nanos për President, si politikë e vjetër, etj.Gjithsesi, parë në kompleks, “Lëvizja Nano” pati efektin e vet, çka në fund të fundit tregoi se “pensionisti” nuk e kishte pranuar “librezën” e stolit në lulishten e Partisë Socialiste.Pas disa takimeve popullore në bazë dhe në disa prej qyteteve kryesore si Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora, etj., “Lëvizja Nano” u zhvendos në “latentë”. Kjo është edhe arsyeja pse shumë vetë interesohen e pyesin se pse nuk po ndjehet më kjo lëvizje, cila është e ardhmja, misioni i saj? Të gjithë heshtin. Hesht Nano, hesht Petro Koçi, heshtin të gjithë. Të paktën publikisht. Askush nuk di të thotë se kur do të “zgjohet” kjo lëvizje dhe cila është strategjia e ardhshme e saj.Nëse nisemi nga origjina dhe zhvillimet e deritanishme të lëvizjeve të ish-liderit të socialistëve prej afro 15 vjetësh, vështirë se dikush mund të përgjigjet saktë se ç’ka në mendje Nano dhe kur ai mund të shfaqet. Por një gjë është e qartë: i ashtuquajturi “politikani i surprizave dhe befasive politike” duket se po luan dhe po bën politikë (ndoshta më shumë se në kulmin e lëvizjes së tij) me heshtjen. Për rishfaqjen e “Lëvizjes Nano” duken të interesuar dy-tre grupe politikë interesi, ndër të cilët, dy janë më kryesorët.I pari i “interesuar” që Nano të vazhdonte lëvizjen e tij, duket se është kryetari aktual i Partisë Socialiste, Edi Rama. (Vetëm pak ditë më parë, ky nxitoi të porosiste përkrahësit gjatë tureve të tij ambientalisto-partiake për të qenë vigjilentë ndaj kurtheve të politikës së vjetër (nënkupto Nano e Berisha). Në këtë mënyrë, pra me shfaqjen oponente të Nanos, Rama kishte mundësi të bënte paraardhësin e tij në parti (lëvizjen gjithashtu) si “target” të sulmeve të tij dhe t’i tregonte popullit socialist se “ja kush nuk na le të punojmë për të ardhmen; ja kush po i fut shkëmbinj në rrota politikës së re; ja kush kërkon t’i zgjasë jetën pushtetit të Sali Berishës”?!... Kësisoj, Rama do të mund të justifikonte dhe të anashkalonte problemet reale me të cilat përballet pushteti i tij politik e ekzekutiv. Ai do të mund të justifikonte çdo lloj akuze që mund t’i vinte nga “armiku” i tij i përbrendshëm, qoftë akuzat për hermetizëm e autoritarizëm në drejtimin e partisë, qoftë edhe akuza më të rënda për korrupsion në Bashkinë e Tiranës (Nano, për shkak të privilegjit informative në detyrën e kryeministrit, duhet të dijë shumë më tepër nga ato që thuhen në kafenetë e Tiranës e jo si thashetheme). Pra, kryetari socialist do të kishte mundësi që në turin e tij të ballafaqohej më shumë dhe më konkretisht në nivelin politik, duke kursyer për publikun fraza e fjalime që kanë të bëjnë me “mbjelljen e lulelakrës në Myzeqe”, apo me “prodhimin e patates në Kukës”?!... I dyti i “interesuar” që Nano të vazhdonte lëvizjen e tij politike, duhet të jetë kryetari i PD-së dhe kryeministri Berisha. Kjo është plotësisht e kuptueshme dhe e justifikueshme politikisht. Berisha është kundërshtari natyror i socialistëve, përfshirë edhe Nanon apo Ramën. Kësisoj, në mënyrë organike, atij i intereson dhe do ta konsideronte fatlum çdo lloj përplasjeje brenda të majtës, për të “blinduar” pushtetin e tij dhe për të hipotekuar edhe një tjetër mandat ekzekutiv. Askush nuk ka të drejtë ta konsiderojë këtë si një “mëkat” të Berishës, pasi çdokush në vendin e tij do ta uronte që kundërshtarët të jenë sa më të dobët dhe të përçarë. Nga ana tjetër, sulmet ndaj Ramës që këtij i vinë nga të vetët, do të përforconin më tepër akuzat e tij ndaj kundërshtarit politik dhe pse jo, do të kishin më shumë efekt. Nëse dje fjalët e Berishën në opozitë dhe akuzat ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës mund të konsideroheshin si “fjalë në erë” apo “fjalë opozitari”, sot, edhe Berisha në funksionin e tij si Kryeministër, mund të ketë shumë më tepër informacion, madje më shumë se ish-komisioni parlamentar “Olldashi”.Por, ajo që duhet theksuar dhe që duket qartë, është fakti se brenda së majtës nuk ka thjeshtë “nuancë” mosmarrëveshjesh e konfliktesh, por në thelb, e majta po vuan nga një krizë permanente autoriteti politik. Edhe pse nuk është konfiguruar ende në mënyrë publike, shenjat e para duket se po dalin pikërisht në “duelin e heshtur” Meta-Rama për postin e ardhshëm të kryeministrit, në rast fitoreje të së majtës në zgjedhjet e ardhshme. Eksponentë të udhëheqjes socialiste nuk ngurojnë ta shpallin Ramën si kryeministrin e ardhshëm, ndërkohë që nuk e fshehin dot kompleksin që kanë ndaj liderit të LSI-së, Ilir Meta. Ky i fundit ka disa avantazhe për të rimarrë zyrën që la si rrjedhojë e konflikteve të tij brenda PS-së. Si një ish-kryeministër, i konsideruar mjaft i suksesshëm e rezultativ, si një prej themeluesve dhe udhëheqësve kryesorë socialistë, kryetari i LSI-së ka lënë gjurmë të ndjeshme tek socialistët, brenda apo jashtë partive përkatëse, PS e LSI, shumë prej të cilëve, të zhgënjyer nga e ashtuquajtura “politikë e re” apo nga dueli Nano-Rama, nuk mund të gjejnë strehë më të mirë se sa LSI-ja dhe krejt natyrshëm mund të bashkohen me anëtarët e kësaj force politike. Kësisoj, duket se i vetmi përfitues brenda të majtës dhe nga konfliktet brenda saj, është Ilir Meta dhe partia e tij. Por, a hesht “Lëvizja Nano” pikërisht për të mos u dhënë “bonuse” politike Ramës, Berishës apo edhe Metës? Si do të jetë e ardhmja e “Lëvizjes Nano”? Cila do të jetë strategjia, objektivi dhe realiteti i saj? Askush nuk e di përveç Nanos, i cili ndonjëherë, duket se është më “punëtor” kur hesht se sa kur shfaqet?!...