Vendi i sistemit t
• Ilir BeqjaPARAJA DHE PUNANjeriu në ditët e sotme për të plotësuar nevojat e veta jetësore, ekonomike, kulturore etj., konsumon mallra e shërbime. Këto mallra e shërbime o i merr nga prindërit (kur është i vogël), o i merr nga paraardhësit (kur trashëgon prej tyre), o i blen me para (me të hollat që fiton nga puna e tij), o i merr nga procesi rishpërndarjes (si përfitues i programeve që financohen nga taksat) së të ardhurave kombëtare. Si në rastin kur i blen drejtpërdrejt me të holla, ashtu edhe në tre rastet e tjera, në thelb, ekziston një transaksion financiar pasi edhe prindërit paratë i fitojnë nga puna e tyre, edhe paraardhësit kanë fituar para nga puna e vet, edhe taksat paguhen duke zbritur të holla nga paratë e fituara nga puna. Kemi, kështu, dy çështje që për mua janë shumë të rëndësishme. Çështja e parë: mjeti, më i pranueshëm nga të gjithë deri më sot, për të përftuar mallra e shërbime është PARAJA. Çështja e dytë: mënyra më e përhapur, më e sigurt dhe personalisht do të thosha më e ndershme, për të siguruar paranë është PUNA. FAMILJA, SISTEMI ARSIMOR, TREGU I PUNES, MROJTJA SOCIALE dhe SISTEMI SHENDETESORQëllimi kryesor i njeriut duhet të jetë dhe është puna. Prandaj, çdonjëri prej nesh kërkon të bëhet gati sa më shpejt dhe sa më mirë për tregun e punës, e më pas përpiqet të qëndrojë sa më gjatë në këtë treg. Në ndryshim nga punëtori i para dy shekujve, punëtorit të sotëm nuk i mjafton të jetë vetëm i shëndetshëm. Ai duhet të jetë edhe i ditur. Pra shoqëria e sotme duhet të ketë mekanizma të qëndrueshëm që njeriu të rritet dhe të rritet i arsimuar. Barrën kryesore në rritjen e fëmijëve e ka FAMILJA. Por familja, përherë e më tepër, sot merret vetëm me plotësimin e nevojave bazike të fëmijëve. Edukimi i fëmijëve për t’u bërë të gatshëm për tregun e punës është detyrë e SISTEMIT ARSIMOR. Kësisoj, partitë politike, veç e veç e të gjitha bashkë, duhet të jenë përgjegjëset kryesore për zhvillimin e një familje të qëndrueshme. Gjithashtu ato duhet të jenë përgjegjëse edhe për zhvillimin e një sistemi arsimor që edukon njerëz të gatshëm për nevojat e tregut të punës. Kushdo qoftë mënyra se si do të ndërtohet sistemi arsimor, se si do të financohet ai, minimalisht duhet t’u ofrojë të gjithëve të njëjtën mundësi qasjeje në të. Nuk duhet lejuar që për mungesë mjetesh financiare, një të riu t’i privohet e drejta e pozicionimit në gjenerimin e të mirave kombëtare.Sidoqoftë, një njeri i edukuar është vetëm konditë e nevojshme. Duhet të ekzistojë dhe funksionojë një TREG PUNE dhe një sistem shërbimesh të këtij tregu. Në këtë treg duhet të ketë mundësinë të gjejë vetveten çdo njeri. Dhe jo vetëm për një herë. Në tregun e punës një njeri normal i kohëve të sotme kalon rreth 40-45 vjet të jetës së tij. Thënë ndryshe më shumë se gjysmën e jetës. Gjatë këtyre 40–45 vjetëve, njeriu do të punojë që të fitojë të holla me të cilat do të plotësojë nevojat e tij gjithnjë në rritje në sasi, larmi e cilësi, të plotësojë nevojat e pasardhësve si detyrim i vazhdimësisë së jetës dhe llojit, si dhe të plotësojë nevojat e të moshuarve si shlyerje e një «borxhi» moral po në funksion të vazhdimësisë së jetës. Prezenca normale në tregun e punës për një periudhë 40–45 vjetësh është nën ndikimin e rreziqeve të ndryshme. Po përqendrohem fillimisht në dy prej tyre. Në rreziqet shëndetësore dhe ato sociale. Rreziqet sociale i kanosen çdo personi. Ato mund t’i privojnë një personi përkohësisht apo për një kohë të gjatë mundësinë për të punuar, e për pasojë të fitojë para nga puna, sepse ka humbur vendin e punës, sepse ka një paaftësi të përkohshme apo një paaftësi që fatkeqësisht është bërë e përhershme, apo një personi femër sepse është shtatzënë apo kujdeset për të miturin e saj të sëmurë. Edhe kur një person është në gjendje të tillë, që nuk mund të punojë e për pasojë të mund të mos fitojë para nga puna, shoqëria duhet të ketë të gatshme dhe të verë në funksionim sistemin e MBROJTJES SOCIALE. Ky sistem është i domosdoshëm për të mbështetur me të holla edhe të moshuarit, në kushtet kur cilësia e jetës po rritet, kur zgjatja mesatare e jetës po rritet, por kur mundësia konkrete moshore për të punuar është akoma nën 65 vjeçët pavarësisht nga gjinia. Sistemi i mbrojtjes sociale duhet konceptuar i tillë që të jetë në gjendje të mbulojë të gjitha fazat e jetës së njeriut, madje edhe më gjerë, prej barkut të nënës deri përtej varrit. Duhet të ofrojë mbështetje për njeriun që kur është në barkun e nënës. Nëse prindërit e tij nuk kanë mjetet ekonomike për t’i siguruar shëndet që në barkun e nënës, duhet që sistemi i mbrojtjes sociale të vërë në funksionim mekanizmat e tij që të garantojë sjellje në jetë në mënyrë normale, pavarësisht nga kontributi që kanë dhënë në rritjen e ekonomisë kombëtare. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe kur njeriu ndërron jetë dhe pasardhësit e tij akoma nuk kanë arritur moshën madhore të punës. Sistemi i mbrojtjes sociale përsëri duhet të garantojë mbështetje ekonomike, pavarësisht nga marrëdhëniet e të ndjerit me ekonominë kombëtare.Një tjetër rrezik që i kanoset jetës së njeriut është shëndeti. Një njeri i shëndetshëm është në gjendje të rritet, të arsimohet e gjithashtu të mund të punojë për të fituar para. Në të kundërt një njeri i sëmurë mund të mos jetë në gjendje të ndjekë siç duhet arsimimin e për më tepër mund të mos jetë në gjendje të bëjë atë punë prej së cilës do të mund të fitonte paratë, me të cilat do të mund të realizonte ato qëllime që ka në jetë. Pra, nevojitet një SISTEM SHENDETËSOR që t’i ofrojë kujtdo një shkallë sigurie e garancie që në rast sëmundje ekzistojnë mekanizmat që shëndeti të mund të përmirësohet në atë mënyrë që çdo njeri të jetë në gjendje të rikthehet në rrjedhën normale të jetës së mëparshme. Me aq shumë sa është zhvilluar dija njerëzore dhe sa shumë është zhvilluar teknologjia, mendoj se ekzistojnë metodat dhe mjetet që të bëhet maksimumi i mundshëm që të parandalohen shumë sëmundje. Ashtu si për sistemin arsimor, edhe për sistemin shëndetësor kam po atë konsideratë. Kushdo qoftë mënyra se si do të ndërtohet sistemi shëndetësor, se si do të financohet ai, minimalisht duhet t’u ofrojë të gjithë të njëjtën mundësi qasjeje në të.Nga të gjithë sistemet e renditur në paragrafët e mësipërm, për familjen mendoj se nuk jam në gjendje të shprehem. Ndoshta për faktin se është një institucion që ekziston dhe funksionon prej mijëra vjetësh. Katër të tjerët, tregun e punës, sistemin arsimor, sistemin e mbrojtjes sociale dhe sistemin shëndetësor i çmoj si themelorët në zhvillimin e një shoqërie moderne, pasi mendoj se nëpërmjet tyre (më shumë se prej shumë të tjerëve) mund të realizohet që njeriu të punojë dhe të fitojë para nga puna e tij.