E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku do të këndojnë për 28 nëntor?

100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, po festohet në mënyra të ndryshme. Gjatë gjithë muajit nëntor, për nder të kësaj feste janë zhvilluar aktivitete të shumta, kulturore e artistike. Sikurse në vitet e kaluara, edhe këtë vit, qytetarët ditën e 28 nëntorit me siguri se dëshirojnë ta festojnë në vende ku edhe bëhet muzikë.

Kosovapress ka kontaktuar përmes telefonit disa nga këngëtarët e estradës për të bërë të ditur se ku do të këndojnë për festën e flamurit. Disa kanë zgjedhur diasporën për të argëtuar adhuruesit e tyre atje, disa janë nisur për në Vlorë, për të kënduar në vendin ku edhe është shpallur pavarësia e Shqipërisë, ndërsa disa të tjerë kanë vendosur të qëndrojnë në Kosovë për të kënduar për të gjithë ata që e duan muzikën dhe që kanë zgjedhur që festojnë këtë festë në Kosovë.

Këngëtarja Leonora Jakupi ka thënë se do të këndoj në qytetin e saj të lindjes në Skenderaj, në manifestimin qendror që do të mbahet atje.

“ Atje do të këndoj këngën të cilën e kam përpunuar “xhamadani vija vija”, do të këndoj edhe këngë të tjera të mia. Uroj gjithë shqiptarëve 28 nëntorin, ditëlindjen e Adem Jasharit, dhe daljen për herë të parë në skenë të UCK-së”,ka thënë Leonora.

Ndërsa këngëtari Korab Shaqiri kësaj here ka zgjedhur Kanadën për të kënduar në ditën e flamurit.

“Shqiptarët e Kanadës kanë kërkuar që unë të këndoj këtu dhe kam ardhur, për të kënduar”, është shprehur Korabi.

Kurse këngëtarja Edona Reshitaj ka thënë se për festën e 28 nëntorit do të luaj në shfaqjen “Nata e dymbëdhjetë”, e cila do të shfaqet në Teatrin Kombëtar.

Më pas Reshitaj ka thënë se do të argëtoj adhuruesit e saj në “Bukabar”, në Prishtinë.

Për të kënduar për fetën e flamurit, këngëtari Nystret Muqiqi nuk do të dalë jashtë kryeqytetit, ku do të këndoj këngët e tij në diskotekën “Hollivud”, në Prishtinë.

Ndërkaq, Vesa Luma ka udhëtuar për në Vlorë ku atje do të mbaj koncert nesër në “San Trope” klub.

Edhe këngëtarja Rovena Stefa ka thënë se ka udhëtuar për në Vlorë, ku sonte do të këndojë atje, ndërsa nesër do të këndoj në sheshin e Tiranës, e më pas do të udhëtoj për të kënduar edhe në Gjermani.

Kurse grupi i njohur “NRG Band”, për të gjithë adhuruesit e vet më datën 28 nëntor kanë vendosur të këndojnë në qytetin e Gjilanit, në “Luks club”.

E Yllka Kuçi ka bërë të ditur se do të këndojë në vendlindjen e saj në Gjakovë, në “Ita 2” me Muhamet Sejdiun dhe me orkestrën Qumilat.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›