E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kuadri Makroekonomik dhe Fiskal 2026-2028, Malaj: Synojmë ruajtjen e besueshmërisë në financat publike

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj është shprehur sot se konsolidimi do të vijojë të jetë objektivi themelor i politikës fiskale.

Sipas Malajt, Ministria e Financave synon sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe një rritje të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse edhe për periudhën afatmesme 2026-2028.

“Me miratimin e Kuadrit Makroekonomik dhe Fiskal për këtë periudhë, ne synojmë të ruajmë të pacënuar besueshmërinë e financave publike në perceptimin e tregut vendas dhe të huaj. Përmes politikave fiskale të kujdesshme gjithashtu do të vijojmë të garantojmë një trajektore rënëse të përvitshme të borxhit publik dhe një balancë primare në nivel pozitiv”, thotë Malaj.

Në raportin e Kuadrit Makroekonomik dhe Fiskal 2026-2028, të miratuar javën e kaluar dhe të publikuar nga Ministri Malaj, lexohet se “pas recesionit të fortë prej -3,3 për qind në vitin 2020, ekonomia u rimëkëmb fuqishëm në vitin 2021, duke shënuar rritje reale prej 9,0 për qind dhe duke vijuar trendin pozitiv edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023, përkatësisht në 4,8 për qind dhe 3,9 për qind”.

“Për vitin 2024 kjo rritje vlerësohet të jetë rreth 3,9 për qind dhe pritet të vijojë trendin pozitiv edhe në periudhën afatmesme”, lexohet në raport.

“Rritja ekonomike parashikohet në normën 3,9 për qind për vitin 2025 dhe përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2026-2028 parashikohet mesatarisht rreth 4,0 për qind në vit. Më specifikisht, rritja ekonomike parashikohet në 4 për qind, 3,9 dhe 4,1 për qind respektivisht për vitet 2026, 2027 dhe 2028”, thuhet në raportin e Kuadrit Makroekonomik dhe Fiskal 2026-2028.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›