E Diel, 1 Nëntor 2026

Kualifikimet e mësuesve të shkollës fillore

Është një proces i komplikuar që të gjithë e kujtojnë dhe e ruajnë me vete gjithë jetën. Ndaj i duhet dhënë rëndësia dhe vëmendja e duhur.
Mësimdhënia ka ndryshuar shumë në 10 vjeçarët e fundit. Në Shqipëri ndryshimi nisi në fillim të viteve ‘90 ku shkolla shqiptare kishte nevojë për ndryshim. Metodat e reja të mësimdhënies, tekstet dhe kurrikula e padyshim gjuha e huaj dhe kompjuteri ishin diçka që sapo kishin hyrë në vend.

Mësuesit e rinj duhej të mësoheshin me këta elementë, që brezi i prindërve tanë nuk kanë pasur mundësinë t’i kenë. Koha kalon shpejt dhe Shqipëria është futur prej kohësh në rrjedhën teknologjike. Për këtë arsye një detyrë e madhe u bie mësuesve, e sidomos ata që janë të parët në vijën e frontit arsimor që të jenë të përgatitur në këtë drejtim.

Shumë fëmijë e të rinj kanë përjetuar probleme në ciklet e larta të mësimit sepse ata nuk kanë marrë siç duhet bazat në shkollën fillore. Jo më kot, nga 4 ajo u bë 5 vjeçare për të garantuar konservimin e dijeve dhe koncepteve bazë. Dhe këto probleme lënë zbrazëti në përgatitjen e tyre në shkollën e mesme dhe më pas në universitet. Është vërtetuar tashmë shkencërisht, që përgatitja e një të riu është si ngritja e një shtëpie, dhe shkolla e tij fillore janë themelet e shtëpisë.

Mësuesit e ciklit të ulët i presin këto sfida: Nxënësit e ditëve tona janë më të përgatitur pasi edhe në familjet shqiptare është rritur mirëqenia. Në çdo shtëpi televizioni është tashmë një mjet informimi, argëtimi por mbi të gjitha mësimi për fëmijët. Telefonia celulare po ashtu i ka shkurtuar distancat.  Një element tjetër në shoqërinë tonë është lëvizja e popullsisë dhe sidomos emigracioni. Sado të thonë që kjo i traumatizon fëmijët, në anën tjetër ajo i mëson më shumë ata. Pra edhe mësuesit duhet të jenë më të përgatitur për t’u përballur me kërkesën dhe nivelin e tyre.

Mësimi përmendësh ka qenë një çështje shqetësuese që nga periudha komuniste. Kjo ka nisur të ndryshojë në këto vite, por duhet të ndryshojë tërësisht në kohën në vijim.

Gjuha e huaj tashmë është një domosdoshmëri. Është vërtetuar tashmë se fëmijët kanë më shumë mundësi në 10 vitet e para të jetës së tyre. Ndaj edhe gjuha e huaj duhet të nisë që në shkollën fillore krahas asaj amtare. Kjo do t’i përgatiste këta të rinj në shumë plane. E njëjta gjë vlen edhe për kompjuterin që është bërë mjeti kryesor i punës tonë.

Pra, siç u shpjegua edhe më lart, për të pasur të gjitha këto te nxënësi, në radhë të parë ato duhet të gjenden te çdo mësues i ciklit të huaj në rang vendi, pasi ata janë fasada e arsimit shqiptar.

                                                                                             

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›