Kualjarela, zëvendësues i Trezegesë
Aventura e David Trezegesë te Juventusi duket se do të mbyllet në fund të sezonit. Pas polemikës së sulmuesit francez me trajnerin Ranieri, për zëvendësimin në ndeshjen e Ligës së Kampioneve me Çelsin, drejtuesit e klubit bardhezi kanë vendosur ta largojnë 31-vjeçarin. Për shërbimet e Trezege interesohet Lioni, në rast se kampionët e Ligës 1 do të vendosin të shesin talentin Karim Benzema. Ndërkohë, si zëvendësuesi i tij ideal te Juventusi shihet Fabio Kualjarela. Emri i sulmuesit të Udinezes qarkullon prej kohësh në ambientet e klubit torinez, por në garë për shërbimet e 26-vjeçarit janë edhe Roma e Napoli. Kualjarela ka kontratë me friulanët deri në vitin 2012 dhe kartoni i tij kushton rreth 12 milionë euro. Gjithsesi, në Udine kanë paralajmëruar se lojtari nuk shitet edhe në rast se klubet e interesuara janë të gatshme të paguajnë shifra marramendëse.