E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuarteti italian "Archimede" sonte në Akademi

Sot ora 19:00, pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, hapet Stina X Ndërkombëtare e Muzikës Klasike me një koncert të kuartetit italian të harqeve "Archimede". Kuarteti përbëhet nga Enzo Ligresti e Corrado Genovese në violinë, nga Gaetano Adorno në violë dhe violonçelisti Benedetto Munzione. Repertori artistik i kuartetit shtrihet në një fushë të gjerë muzikore, nga Haydn deri te Shostakovic, duke përshkuar tre shekuj repertori të muzikës së dhomës.


Programi që do t'i paraqitet publikut të Tiranës parashikon ekzekutimin e Kuartetit 19 në
do maxhor të Mozart, të Kuartetit 12 në do minor të Schubert si dhe të Kuartetit në
sol minor op. 27 të Grieg.


Koncerti organizohet nga Instituti Italian i Kulturës në
bashkëpunim me shoqatën artistike "Syri blu". Ky koncert shënon fillimin e koncerteve "Klasik" 2009-2010.

"Onufri" i besohet Teferiçit


Galeria Kombëtare e Arteve, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur dje se Edicioni XVI i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore "ONUFRI 2009" do të hapet më 24 dhjetor në GKA. Këshilli Organizativ i kësaj ekspozite ka vendosur që "drejtimi kuratorial t'i besohet Parid Teferiçit, poet dhe artist, njohës dhe ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve të artit".


Teferiçi (1972) ka studiuar për Informatikë në Tiranë dhe Ekonomi në Milano. Ka botuar tre libra me poezi, "Molla e detyrueshme" (1993), "Bërë me largësi" (1996) dhe "Meqenëse sytë" (2003), si dhe librat me përkthime "Kur fare lakuriq të biem" (poezi të zgjedhura nga Dylan Thomas, 1998) dhe "Mendje dimri" (poezi të zgjedhura nga Wallace Stevens, 2008).

Ka sjellë gjithashtu në shqip autorë si Maria Luisa Spaziani, Edoardo Sanguinetti, Andrea Zanzotto, Luis Cernuda, Vicente Aleixandre, John Ashbery, Tom Sleigh etj. I pranishëm në disa antologji të letërsisë shqipe të botuara në USA, Gjermani, Francë dhe Greqi.


Si piktor ka hapur katër ekspozita vetjake në Ferrara e Venezia të Italisë, si edhe ka qenë i pranishëm në disa ekspozita kolektive. Ka punuar për disa vite në Institutin e Kulturës "Casa Cini" në Ferrara, ku nën drejtimin e Franco Patruno-s ka kontribuar në organizimin dhe kurimin e aktivitetit të ngjeshur ekspozitiv të këtij Instituti. Bashkëpunon me revistat kulturore "Aleph" dhe "Poeteka".


Ekspozita që do të ndërtohet sipas një koncepti të kuratorit, i cili nuk është bërë i ditur akoma, do të qëndrojë e hapur deri më 4 shkurt 2010. Një juri ndërkombëtare, si çdo vit, vlerëson disa artistë që kanë pasur prezantimin më të mirë.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›