Kuvend, s'ka më seanca plenare ditën e hënë
Konferenca e grupeve parlamentare vendos ndryshimin e procedurave parlamentare. Seancë vetëm të enjten
TIRANË - Dita e enjte e çdo jave pritet të jetë dita e vetme e punimeve të Kuvendit, aty ku do të miratohen në tërësi dhe nen për nen të gjitha draftet e shqyrtuara më parë nga komisionet parlamentare.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka paralajmëruar dje se punimet e Kuvendit nuk do të zhvillohen më ditën e Hënë, me qellim shqyrtimin me hollësi të drafteve nëpër komisionet parlamentare.
Topalli deklaroi dje gjatë seancës plenare se, ndryshe nga legjislatura e kaluar, tashmë nuk është më e nevojshme që të miratohet një numër i konsiderueshëm ligjesh, por të kihet më shumë vëmendje te cilësia e tyre e për pasojë, te një punë më e madhe e komisioneve parlamentare.
Duke iu referuar, pikërisht, ndryshimeve të bëra nga konferenca e grupeve parlamentare, Topalli njoftoi deputetët se duke filluar nga java e ardhshme, puna më e madhe në komisione do të përqendrohet tre ditët e para të javës.
"Për shkak se jemi në një legjislaturë të re, nuk mund të pranojmë më që numri i orëve të seancave plenare të jetë më i madh se sa numri i orëve të punës së komisioneve parlamentare.
Kjo është nonsens. Ne nuk kemi më nevojë që të bëjmë shumë ligje, siç kemi bërë në 4-vjeçarin e kaluar, por kemi nevojë që më shumë sesa një numër të madh ligjesh, të bëjmë ligje të cilësisë dhe të standardeve evropiane, siç e kërkon ky stad i zhvillimit",- tha Topalli.
Për këtë arsye, Topalli shtoi se, duke filluar nga java e ardhshme, përqendrimi dhe fokusimi kryesor i punës do të jetë në komisionet parlamentare, ku kërkohet gjithë përfshirja, konsultime, ftesë të grupeve të interesit, të organizatave të ndryshme joqeveritare etj. "Kjo punë do të bëhet në komisione, në ditët: e hënë, e martë dhe e mërkurë, për të lënë që ditën e enjte të bëhet seanca plenare", shtoi kryetarja Topalli.