Kuçi: Rexhepi ka të drejtë, EULEX s`po punon

Në Kosovë, zyrtarë të qeverisë thanë se marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit janë të mira, pavarësisht të ashpërsimit të deklaratave në ditët e fundit, lidhur me punën e EULEX-it në veriun e Kosovës. Zyrtarë të qeverisë e kanë kritikuar këtë mision për mospërmbushje të detyrave që dalin nga mandati i tij, ndërkaq zyrtarët e EULEX-it kanë kërkuar sqarim lidhur me këto deklarata. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka mohuar të ketë përplasje mes institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, ndërkohë që ka dalë në mbrojtje të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili verbalisht ka nisur “betejën” me misionin europian në Kosovë, gjë për të cilën është kritikuar nga zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes, i cili ka thënë se do të kërkojë raport nga Rexhepi, se përse “Kosova nuk sheh efikasitet tek EULEX-I”. Kuçi ka thënë të mërkurën se nuk dëshiron të merret me deklaratat individuale, por ka theksuar se ministri Rexhepi nuk e ka kritikuar EULEX-in për punë, por për faktin se nuk ka punuar,theksojnë mediat kosovare. Ndërkaq tre zyrtarë të EULEX-it janë duke u hetuar nga vetë misioni evropian i sundimit të ligjit në Kosovës për keqtrajtim të nëpunësve shqiptarë. Sipas mediave, tre pjesëtarët e EULEX-it kanë keqtrajtuar sistematikisht shqiptarët që punojnë në këtë mision në bazë fetare dhe etnike. Ndërsa raportohet se është përdour edhe dhunë psikologjike dhe fizike ndaj shqiptarëve. Lidhur me këto raste zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes ka thënë se fajin e ka dikush në këtë mision që ka njoftuar mediat, dhe që dëshiron të krijohet imazh i keq për këtë mision.