Kuçi: Serbia po e pranon realitetin e ri

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaroi sot se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara dhe si të tilla do të aderojnë edhe në Bashkimin Evropian.
Duke komentuar deklaratat e fundit të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë se Kosova dhe Serbia do të hyjnë të ndara në BE, Kuçi tha se Serbia ka nisur ta pranojë realitetin e ri të krijuar në Kosovë.
“Mendoj që kjo është shkalla e parë e vetëdijesimit të politikës serbe. Mendoj që kjo është një realitet i ri që ata po fillojnë ta njohin, këtë realitet ne në fakt e kemi shpallur me pavarësinë e Kosovës, në mënyrë është njohur nga proceset integruese dhe nga vetë Unioni Evropian dhe tani po i bëjmë përgatitjet për opinion të brendshëm edhe Qeveria e Serbisë. Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara, Kosova ka territorin e vet, ka sovranitetin e vet dhe si e tillë do të hyjë në Unionin Evropian”, tha Kuçi, transmeton KosovaPress.
Ndërsa lidhur me paralajmërimet për ndryshime në kabinetin qeveritar, numri dy i Qeverisë tha se pas përfundimit të procesit zgjedhor do të merren vendimet nga kryeministri Hashim Thaçi në pajtim me partnerin e koalicionit qeveritar, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Çdo gjë do të shkojë në mënyrën më të mirë të duhur, duke u koordinuar plotësisht me vendimin e kryeministrit, partnerët e koalicionit, por pasi që të përfundojë këto ‘ethe’ zgjedhore do të jemi më të lirë, edhe të mendojmë, por edhe të veprojmë”, tha Kuçi.