E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Afganistani të mos lihet në dorën e Talibanit

Londër, 30 Janar NOA - Zv. Kryeministri dhe Ministri
i Punëve të Jashtme, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e Londrës për
Afganistanin ku komuniteti ndërkombëtar ishte mbledhur për të bashkërenduar
burimet ushtarake dhe civile në shërbim të një strategjie politike për
mbrojtjen dhe sigurinë në Afganistan,.

Në Konferencë ku morën pjesë Ministrat e
Punëve të Jashtme nga vendet e Forcës Ndërkombëtare për Siguri dhe Ndihmë,
vendet fqinje të Afganistanit dhe nga vende me peshë rajonale, delegacioni
shqiptar u kryesua nga Ilir Meta.

Gjithashtu, morën pjesë edhe përfaqësues nga
NATO, OKB, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare si Banka Botërore.

Z. Meta vlerësoi se kjo Konferencë e
rëndësishme, do ti japë një impuls të ri angazhimit të koalicionit
ndërkombëtar në Afganistan dhe se Shqipëria, si një prej 7 vendeve të para kontribuuese,
do të vazhdojë të ndihmojë përkrah aleatëve të saj për mbarëvajtjen e paqes dhe
për një të ardhme më të sigurt për popullin afgan.

Përfaqësuesit e 70 vendeve dhe organizatave
ndërkombëtare të pranishëm në Londër ranë dakord se një Afganistan me
stabilitet dhe siguri është shumë i rëndësishëm për sigurinë e të gjithëve dhe
se Afganistani nuk duhet lënë më në duart e regjimit brutal të Talibanit.

Në këtë kuadër, të gjitha marrëveshjet midis
komunitetit ndërkombëtar dhe Qeverisë së Afganistanit të nënshkruara në Londër,
do ti shërbejnë rritjes së kapaciteteve vendase për të siguruar sovranitetin e
të gjithë territorit dhe sigurinë e prosperitetin ekonomik për të gjitha
popullin afgan, njëkohësisht duke luajtur një rol konstruktiv në rajon.

Gjatë punimeve të Konferencës, z. Meta u takua
edhe me shumë homologë të vendeve të tjera si me Ministrin britanik për Evropën
z. Chris Bryant, Sekretarin e Jashtëm britanik z. David Miliband, Ministrin
Plotësues të Jashtëm grek z. Dimitris Droucas.

Homologët, e vlerësuan rolin që Shqipëria ka
luajtur deri tani në Afganistan dhe z. Meta i siguroi ata se Shqipëria do të
vazhdojë të qëndrojë pranë aleatëve ndërkombëtarë, për tia arritur qëllimit të
përbashkët në Afganistan.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›