E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kufiri detar Shqipëri-Greqi, Begaj: Çështja do të trajtohet sipas parimeve të reciprocitetit dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 2010

Kufiri detar Shqipëri-Greqi, ose siç njihet ndryshe marrëveshja “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është trajtuar edhe në një takim që Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Niko Dendias, pas pjesmarrjes në Samitin e parë BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua të martën në Tiranë, samiti i parë që zhvillohet jashtë hapësirës së Unionit.

Kreu i Shtetit, në këtë takim, fillimisht vlerësoi frymën e mirëkuptimit dhe mirëbesimit në dialogun midis dy qeverive, si në nivel politik ashtu dhe në nivel ekspertësh rreth kësaj çështje.

“Ju siguroj se çdo çështje e vjetër ose e re do të trajtohet me seriozitetin maksimal, sipas normave të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të reciprocitetit dhe në respekt të Kushtetutës, Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, të drejtës ndërkombëtare dhe si vende aleate të NATO-s”,- theksoi Presidenti Begaj.

Presidenti, ndër të tjera, vlerësoi edhe marrëdhëniet shumë të mira dhe partneritetin strategjik midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia dhe populli grek i kanë dhënë shqiptarëve në momentet e vështira pas ndryshimeve demokratike, por edhe në kuadër të përballimit të fatkeqësive të ndryshme natyrore. 

Duke iu referuar fqinjësisë së mirë dhe vlerave e sfidave të përbashkëta, Kreu i Shtetit e konsideroi praninë e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi si një vlerë të  shtuar për këto marrëdhënie.

“Ato përbëjnë një urë të fortë, të vërtetë e të sinqertë miqësie e bashkëpunimi, për të cilën ne jemi të gatshëm ta forcojmë e promovojmë më tej”,- u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit vlerësoi edhe frymën e re të bashkëpunimit të Qeverisë dhe autoriteteve greke me Kosovën. Ai nënvizoi se “Kosova është një realitet politik dhe njohja e pavarësisë së saj do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Dua të mbroj interesin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen”,- u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj dhe Kryeministri Mitsotakis e vunë theksin edhe tek bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve dhe mundësitë e investimeve të kapitalit grek në fusha të ndryshme të ekonomisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›